Përse s’botohet “Kryengritja e Dervish Carës” në gjuhën në të cilën u shkrua?

Vepra “Kryengritja e Dervish Carës” e historianit Aleksandar Matkovski, të njohur nga lexuesit me studimin për stemat shqiptare, është përkthyer dhe botuar dy herë në gjuhën shqipe, po asnjëherë në gjuhën në të cilën është shkruar, në maqedonishte. Kjo vaki e pazakonshme nxit pyetjen: përse edhe pas rënies së pushtetit monist, asnjë botues nuk denjon ta botojë librin, që hedh dritë për njërën prej kryengritjeve me shtrirje më të gjerë gjeografike, të bërë kundër Osmanëve, në kohën e Tanzimatit. Përgjigja mund të merret me mend, sepse studimin e doktorit të parë të historisë në RMV, nuk do ta shohë të botuar një klasë e ngarkuar me paragjykime qesharake, për shkak se vepra flet për betejën e shqiptarëve të këtij nënqielli nën udhëheqjen e Dervish Carës. Ky krah i politikës së ngarkuar me urrejtje ndaj bashkëvendësve nuk do që të dalë në shesh e vërteta e epopesë antiosmane që bënë shqiptarët e besimit musliman, sepse ajo bie ndesh me të dhënat e gënjeshtërta të disa pseudohistorianëve, të cilët mashtrojnë publikun me profkat se gjoja shqiptarët i paskan sjellë në këto hapësira osmanët, nga mesi i shekullin e XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, mashtrim ky që nuk mund të justifikohet me asnjë dokument arkivor, hiq ato të akademisë serbe, që ishte në funksion të hegjemonizmit serbomadh, i cili nuk ua ka dashur kurrë të mirën as maqedonasve.

Pseudohistorianët në fjalë i demaskon keq vepra e akademikut Matkovski, që flet për kryengritjen e shqiptarëve, që nisi në Dibër, në vitin 1843 dhe mbaroi në Vrajë të Sanxhakut të Nishit, prej ku, më 1877-78, Serbia dëboi shqiptarët me dhunë dhe terror të paparë. Pra, si qe e mundur që një popull ardhacak të bëjë një kryengritje aq të madhe dhe të çlirojë gjithë ato qytete, në një kohë kur shakaxhinjtë e historisë pohojnë se shqiptarët pikërisht asokohe i sollën osmanët në Maqedoni. “Argumentet” që shtrojnë këta “historianë” lidhen edhe me tomonimet maqedonase të vendbanimeve ku kanë jetuar prej shekujsh të parët tanë, duke harruar se ato toponime i kemi peshqesh nga pushtuesit bullgarë (861-1018), jo nga dikush tjetër. Kjo do të thotë se shqiptarët, bashkë me fqinjët e tyre maqedonas, jetojnë në vendbanime të emërtuara nga i njëjti pushtues i kohërave të shkuara. Këtë të vërtetë nuk e ndryshon kush, pavarësisht të dhënës se gjuha maqedonase e bullgare, më shumë se me shqipen, kanë afri me njëra-tjetrën dhe me gjuhët tjera sllave në Ballkan dhe më gjerë.

Janë pra inatet dhe mëritë e pafisnikëruara ato që penguan dhe pengojnë botimin e veprës së Matkovskit në gjuhën në të cilën u shkrua, sepse ndryshe do të avulloheshin sa ora gënjeshtrat për gjoja krimet e kryengritësve shqiptarë muslimanë mbi të krishterët sllavë. Lidhur me këto shpifje, A. Matkovski shkruan: “Gjithë këto burime duhet të merren me një rezervë, sepse vijnë nga peshkopët fanatikë – priftërinjtë dhe konsujt e huaj… Nuk duhet harruar se edhe shtypi turk i asaj kohe ishte me orientim antikryengritës dhe antishqiptar, shtyp në të cilin i mbështetnin informatat e tyre konsujt e huaj dhe i cili kishte për qëllim informimin e gënjeshtërt të opinionit turk dhe botëror, duke hiperbolizuar e prezantuar si krime monstruoze keqbërjet e zakonshme në kohëra luftërash. Është e vërtetë gjithashtu se raportet ishin tendencioze dhe të ekzagjeruara, me qëllim të diskreditimit të kryengritësve. Informacionet tendencioze i përhapte pushteti turk dhe shtypi turk, peshkopët e ndryshëm, priftërinjtë dhe konsujt, të cilët gjithashtu kishin qëndrim negativ ndaj kryengritësve”.

Lidhur me mashtrimet në fjalë, Akademik Matkovski citon dhe disa konsuj evropianë. Konsulli francez thoshte: “Jam i bindur se ka ekzagjerime”. Për konsullin austriak: “Shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, ata e duan vetëm paqen… Edhe përkundër të dhënës se në disa vende ka ngatërresa, nuk duhet besuar lajmeve të ekzagjeruara prej atyre që i ngjyrosin’ ngjarjet, gjoja popullata e krishterë po keqtrajtohet. Kështu, peshkopi grek nga Shkupi, i cili gjendet në Selanik, përhapi në publik lajme të rreme, prandaj u qortua seriozisht nga Ali Riza-pasha, i cili ka ardhur me mision në këto vende dhe i cili i demantoi lajmet e rreme”. Konsulli anglez – Lejardi (dëshmitari më serioz i ngjarjeve që lidhen me kryengritjen e Dervish Carës), pasi pranon se: “Si zakonisht, raportet e këtilla ishin të ekzagjeruara dhe ndoshta të pabazuara fare”, sjell reagimin e vetë kryengritësve në këto shpifje: “Prijësit protestonin të fyer duke thënë se nuk kishte asgjë të vërtetë në ato lajme, sepse gjithçka ishte shpifje e armiqve të tyre Turqve, me qëllim të dëmtimit të kauzës së tyre dhe të ndërsimit të urrejtjes nga ana e vendeve evropiane. Ata deklaronin se, me përjashtim të tatimeve të mbledhura që nga koha e vënies nën kontroll të rrethit, për të cilët besonin se janë legjitime, ndaj dhe i mblidhnin prej njerëzve të të gjitha shtresave dhe besimeve, në asnjë mënyrë nuk janë ndeshur me të krishterët të cilët ishin vëllezërit e tyre dhe të cilët nuk janë shqetësuar kurrë për shkak të besimit të tyre”.

Këto janë vetëm ca të dhëna lidhur me veprën “Kryengritja e Dervish Carës”, të shkruar nga një historian joshqiptar, që guxoi të shkruajë me dashuri për një ngjarje të lavdishme historike, në një kohë diabolizimi të skajshëm e të rrezikshëm të imazhit tonë. Vepra është një mësim i mirë për gjithë shkencëtarët mjeranë, të cilët duhet ta kuptojnë se kryengritja, që mobilizoi 200.000 burra, nuk ka mundur të organizohej nga një etni ardhacake dhe e pakonsoliduar sa duhet brenda një hapësire gjeografike. Botimi i kesaj vepre në gjuhën shqipe është njëlloj qortimi dashamirës edhe për shkencëtarët tanë, të cilët, në vend të humbjes së energjive me spekulimet e të tjerëve, në vend të bërjes së karrierës me llafe dhe me të vërteta triviale, duhet të gjurmojnë në arkiva të vërtetat historike të shqiptarëve të këtyre trevave, me çka do të mbyllej kapitulli i poshtërimeve madje edhe nëpërmjet teksteve shkollore…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.