Për tre muaj, jetë më e shtrenjtë me rreth 2.500 denarë: Shporta sindikale në RMV u rrit me 436 denarë
Vlera e shportës minimale sindikale për marsin është rritur me 436 denarë krahasuar me shkurtin e këtij viti, thotë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Sipas llogaritjeve të reja për këtë muaj, shporta arrin në 67.818 denarë ose 1.100 euro, që do të thotë rritje prej 436 denarë krahasuar me muajin e kaluar, kur arriti në 67.382 denarë, transmeton Portalb.mk.
Llogaritjet e LSM-së tregojnë se ato familje që jetojnë në një apartament me qira kanë nevojë për 15.375 denarë shtesë.
LSM thotë se që nga fillimi i vitit, jeta është bërë më e shtrenjtë me 2.326 denarë për tre muaj.
“Për tre muaj, jeta është bërë më e shtrenjtë me rreth 2.500 denarë, ata do ta kishin përshtatur pagën minimale me 1.667 denarë”, shton LSM.
Sindikatat gjithashtu theksojnë se çmimi i karburantit dizel është rritur me 27.5 denarë për tre muaj.
“Çmimi i dizelit në të njëjtën periudhë më 05.01.2026 ishte 64.50 denarë për litër, dhe më 16.03.2026 ishte 92 denarë për litër, ose një rritje prej 27.50 denarësh për litër për tre muaj”, shtoi LSM.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera me 100 euro.
Megjithatë, pas një seance të Këshillit Ekonomik dhe Social të mbajtur në fillim të këtij muaji, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi konfirmoi se paga minimale neto në Maqedoni do të rritet me 1.667 denarë nga ky muaj dhe do të arrijë saktësisht në 26.046 denarë.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e braktisi seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social, ndërsa arsyeja, sipas kryetarit të LSM-së, Sllobodan Trendafilov, është qëllimi “për të vendosur përshtatje të fshehtë të pagës minimale me rreth 1.600 denarë”.
Ndryshe, rritja e shportës minimale sindikale vazhdon nga muaji në muaj, dhe kjo tregon se shpenzimet për jetesë po “godasin” xhepat e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Për muajin shkurt, shporta minimale sindikale arriti në 67.382 denarë, një rritje prej rreth 969 denarë krahasuar me muajin janar.