Gjykatësit kushtetues në RMV nga 1 tetori me paga më të larta, i shfuqizuan ndryshimet me të cilat Kuvendi ua uli pagat
Kryetari dhe gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 1 tetori i këtij viti do të marrin paga më të larta se ato që për momentin janë paraparë me Ligjin për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në vend. Ky epilog pasoi pasi gjykatësit kushtetues i shfuqizuan ndryshimet e Ligjit nga muaji shkurt i këtij viti që u referohen atyre, e me të cilat u zvogëluan koeficientët për përllogaritjen e pagave të të gjithë funksionarëve, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.
Vendimi u soll në seancën që u mbajt më 17 qershor. Kjo rrethanë kaloi nën radarin e opinionit publik pjesërisht për shkak se në të njëjtën seancë u shfuqizua riemërimi i rrugëve dhe shesheve në Tetovë në vitin 2007, gjë që nënkupton kthimin e emrave të vjetër.
Megjithatë, në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese është publikuar vendimi për shfuqizimin e pjesëve të dy neneve nga Ligji për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar me arsyetimin e plotë.
Çfarë thuhet në vendim?
Sipas publikimit, shumica e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese kanë sjellë vendim për shfuqizimin e pjesëve të nenit 14 të Ligjit për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar, të cilat i referohen vetëm kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë të nenit 15, i cili u referohet anëtarëve të Gjykatës që është e ngarkuar për mbrojtjen e kushtetueshmërisë së ligjeve dhe rregulloreve në shtet.
“SHFUQIZOHEN neni 14 në pjesën „kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë,“ dhe neni 15 në pjesën „gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë,“ nga Ligji për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta Zyrtare e Republikës Socialiste të Maqedonisë” nr. 36/1990; “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 44/1990, 11/1991, 38/1991, 23/1997, 37/2005, 84/2005, 121/2007, 161/2008, 92/2009, 42/2010, 97/2010, 162/2010, 11/2012, 145/2012, 170/2013, 139/2014, 45/2018 dhe 233/2018 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 51/2023, 65/2023, 51/2024, 272/2024 dhe 39/2026)“, thuhet në pikën 1 të vendimit.
Në pikën pas saj theksohet se pjesët e shfuqizuara të dispozitave të Ligjit nuk do të vlejnë nga data 1 tetor i vitit 2026.
Sipas pikës së tretë nga 1 tetori përllogaritja e pagës së kryetarit dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet sipas koeficientëve nga ndryshimet e Ligjit të miratuara në vitin 2024.
“Pas përfundimit të afatit nga pika 2 e këtij vendimi, ndërsa me qëllim të ekzekutimit të saj, për përllogaritjen e pagës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të zbatohet Ligji për ndryshimin e Ligjit për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 272/2024), deri në rregullimin e kësaj çështjeje me ligj, në përputhje me qëndrimet e Gjykatës në këtë vendim“, thuhet në pikën 3 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Në fund të muajit shkurt të këtij viti Kuvendi miratoi ndryshime të Ligjit me të cilat i zvogëloi pagat, gjegjësisht koeficientët për përllogaritjen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, e me këtë edhe zvogëlimin e pagave të funksionarëve.
Në nenin 14, i cili e përfshin edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, koeficienti u zvogëlua nga 3,08 në 2,81. Në nenin 15, i cili u referohet gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese, ky zë, gjegjësisht koeficient, u zvogëlua nga 2,85 në 2,60. Përndryshe, për përllogaritjen e pagës së personave të zgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut merret paga mesatare e shumëzuar me koeficientin.
Nëse lexohet me vëmendje vendimi i Gjykatës Kushtetuese i të mërkurës nga 1 tetori i këtij viti pagat e kryetarit dhe të anëtarëve të Gjykatës do të përllogariten sipas koeficientëve të “vjetër“, të miratuar me ndryshimet e Ligjit nga viti 2024. Gjegjësisht, për përllogaritjen e pagës së kryetarit do të merret koeficienti 3,08, ndërsa për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese 2,85.
Cilat janë argumentet e Gjykatës Kushtetuese?
Sipas arsyetimit të vendimit ai është marrë pasi Gjykata Kushtetuese me iniciativën e saj dhe me vendim të 4 shkurtit të këtij viti, vendosi të ngrinte procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së pjesëve të dispozitave të Ligjit. Sipas Gjykatës me të drejtë është ngritur pyetja për pajtueshmërinë e tyre me një pjesë të neneve të Kushtetutës me të cilat rregullohet ndarja e pushtetit shtetëror në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, respektimi i normave të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, harmonizimi i ligjeve me Kushtetutën dhe pozita e Gjykatës Kushtetuese në rendin juridik të shtetit, pra se bëhet fjalë për një organ të Republikës që mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë.
Duke iu referuar këtyre dispozitave të aktit më të lartë juridik të shtetit Gjykata Kushtetuese i prezanton argumentet e veta në arsyetimin e vendimit.
Në, thënë kushtimisht, pjesën e parë të arsyetimit Gjykata i numëron parimet sipas të cilave është kompetente për të vendosur mbi kushtetueshmërinë e ligjeve dhe rregulloreve në shtet, si dhe pozicionimin e saj brenda sistemit të ndarjes së pushteteve.
Sa i përket pozicionimit theksohet se është e pakontestueshme që Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e organizimit të pushtetit shtetëror ku bën pjesë gjyqësori, por është një organ i veçantë i Republikës që e mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë. Por, theksohet se, në thelb, “mund të thuhet se ajo kryen të ashtuquajturin funksion kushtetues-gjyqësor në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, ku bëjnë pjesë vendimmarrja për pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, pajtueshmërinë e rregulloreve të tjera dhe të marrëveshjeve kolektive me Kushtetutën dhe me ligjet, si dhe vendimmarrja për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit“.
Më konkretisht sa i përket dispozitave të shfuqizuara në arsyetim thuhet se edhe pse ligjvënësi, Kuvendi, ka të drejtë t’i përcaktojë pagat në sektorin publik, përfshirë këtu edhe pagat e funksionarëve, përsëri nuk mundet dhe nuk guxon ta injorojë pozicionimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese.
“Në kushte të mosekzistimit të një Ligji të veçantë për Gjykatën Kushtetuese për shkak të mungesës së bazës kushtetuese për miratimin e një ligji të tillë, është e pakontestueshme se rregullimi i pagave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese është materiae legis, gjegjësisht çështje që është në domenin ekskluziv të pushtetit legjislativ dhe ligjvënësi ka të drejtë t’i përcaktojë pagat në sektorin publik, përfshirë edhe pagat e bartësve të funksioneve publike, në mesin e të cilëve janë edhe gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese. Por, me këtë rast ligjvënësi nuk mundet dhe nuk guxon ta injorojë pozicionimin kushtetues të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatësve kushtetues, të cilët kanë garanci më të forta të mundshme për pavarësinë dhe autonominë e tyre. Duke e pasur parasysh faktin se nga përmbajtja e neneve 14 dhe 15 të Ligjit për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë, rezulton se koeficienti për përcaktimin e pagës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është i njëjtë me koeficientin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa koeficienti për përcaktimin e pagës së gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese është i njëjtë me atë të një anëtari të Qeverisë, kryetari të një trupi punues të Kuvendit, guvernatori të Bankës Popullore, avokati të shtetit, avokati të popullit, sekretari të Kuvendit dhe sekretari të Qeverisë, pa dyshim rezulton se me dispozitat e theksuara pagat e kryetarit dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen në të njëjtin regjim normativ dhe me të njëjtën logjikë ligjore si pagat e bartësve të tjerë të funksioneve publike nga pushteti legjislativ, ekzekutiv, monetar, e kështu me radhë“, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës Kushtetuese rregullimi i pagave të kryetarit dhe të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese nën të njëjtin regjim normativ me bartësit e tjerë të funksioneve publike është një shkelje thelbësore e sundimit të ligjit si vlerë themelore e rendit kushtetues.
“Kjo lloj qasjeje çon drejt mohimit të autonomisë institucionale dhe funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe e relativizon pozitën e saj kushtetuese si një organ i veçantë i Republikës që e mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë. Për shkak të kësaj që u tha më sipër Gjykata vërtetoi se neni 14 në pjesën ‘kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë’ dhe neni 15 në pjesën ‘gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë’, nga Ligji për Paga dhe Kompensime të Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar në Republikën e Maqedonisë nuk është në përputhje me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe 11, nenet 51 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut“, thonë nga Gjykata Kushtetuese në arsyetim.
Ndryshe, siç u theksua paraprakisht në të, vendimi për ngritjen e procedurës për ndryshimet e Ligjit është dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri të Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkesë që të prononcohen për pretendimet e përfshira në të, por deri në afatin e dhënë nga atje nuk ka pasur asnjë përgjigje.
“Njëkohësisht, me vendimin në fjalë, e në bazë të nenit 36 paragrafi 2 të aktit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut iu caktua një afat prej 60 ditësh për ndryshimin dhe/ose plotësimin e Ligjit në të cilin janë përfshirë pjesët e kontestuara, në përputhje me qëndrimet e Gjykatës të shprehura në arsyetimin e Vendimit. Deri në skadimin e afatit të caktuar prej 60 ditësh, Kuvendi nuk veproi në përputhje me këtë vendim“, theksojnë nga Gjykata Kushtetuese.