Mickoski: Marketet t’i ulin çmimet, në të kundërtën do t’i publikojmë me emra

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski u dërgoi mesazh marketeve, distributorëve dhe prodhuesve që të ulin çmimet e produkteve bazë ushqimore, dhe nëse kjo nuk bëhet do të ketë reagim dhe do t’i publikojnë me emra, raporton Portalb.mk.

“Kriza po përfundon, qytetarët treguan durim dhe tolerancë, tani është radha e tyre t’ua kthejnë këtë. Pres që menjëherë të fillojnë me uljen e çmimeve, veçanërisht të produkteve bazë. Qeveria ka mekanizma dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të reagojmë në një mënyrë tjetër dhe në afat më të gjatë”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se nuk do të pranojë arsyetime dhe paralajmëroi kontrolle dhe inspektime të shtuara nëse në ditët e ardhshme nuk ka reagim nga tregtarët.

“Nëse është e nevojshme, që nga nesër do t’i publikojmë publikisht marketet me emër dhe mbiemër”, tha Mickoski.

Sipas të dhënave të fundit për shportën minimale sindikale të publikuara nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), në muajin qershor një familjeje katëranëtarëshe në Maqedoninë e Veriut i janë nevojitur të paktën 68.654 denarë për të mbuluar shpenzimet bazë mujore.

Nëse familja jeton me qira në banesë prej 60 metrash katrorë, shuma e nevojshme rritet ndjeshëm dhe arrin në 84.024 denarë në muaj.

Krahasuar me majin, kur shporta minimale sindikale ishte 68.742 denarë, në qershor është regjistruar ulje simbolike prej 88 denarësh.