Punonjësit e Klinikës së Fëmijëve sërish para ministrisë së Financave: Kërkesa është dorëzuar në dhjetor, përgjigjja erdhi pas pesë muajsh

Rreth 50 punonjës të angazhuar në Klinikën e Fëmijëve, të cilëve nuk u është vazhduar puna për shkak të mungesës së pëlqimit nga Ministria e Financave, kanë protestuar sërish para këtij institucioni, duke publikuar dokumente që sipas tyre dëshmojnë rrjedhën zyrtare të kërkesës për punësim, transmeton Portalb.mk.

Të punësuarit pretendojnë se Klinika e Fëmijëve e ka dorëzuar kërkesën për vazhdimin e angazhimeve që në dhjetor të vitit 2025, ndërsa përgjigjja negative nga Ministria e Financave ka mbërritur vetëm në fund të prillit 2026. Sipas tyre, kjo vonesë ka lënë për muaj të tërë në pasiguri dhjetëra punonjës, të cilët kanë vazhduar të paraqiten në vendin e punës pa pasur zgjidhje të qartë për statusin e tyre.

Njëra nga protestueset, Flora Gashi, tha se dokumentet që posedojnë tregojnë se kërkesa është nisur më 9 dhjetor 2025, ndërsa përgjigjja përfundimtare është kthyer më 28 prill. Ajo akuzoi Ministrinë e Financave se ka dhënë informacione të pasakta lidhur me afatet, duke theksuar se institucioni nuk mund të arsyetohet me pretendimin se lënda është pranuar vetëm në janar.

“Përfundimtarja është 28 prill, d.m.th. ka ecur ky dokument, në Ministrinë e Shëndetësisë, të Financave, është kthyer tek ne më 28 prill. D.m.th. pa dy ditë – pesë muaj! Përgjigja është negative sërish. Ne 5 muaj i kemi pritur edhe del zonja e financave dhe thotë “ne i kemi dërguar dokumentacionet më 22 janar”, por ne kemi fakt që është më 09.12.2025”, tha Flora Gashi.

Sipas punonjësve, pas marrjes së përgjigjes negative në prill, drejtoria e Klinikës ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër për 50 punonjësit, por edhe ajo është refuzuar. Ata thonë se për muaj me radhë kanë punuar me shpresën se çështja do të zgjidhej, por në fund kanë mbetur pa kontrata dhe pa siguri për të ardhmen.

Në të njëjtën linjë me protestuesit është shprehur edhe drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi. Ai deklaroi se institucioni ka planifikuar buxhet të mjaftueshëm për këto angazhime dhe se me të njëjtin plan financiar, gjatë vitit 2025, Ministria e Financave kishte miratuar punësime me kontratë në vepër për Klinikën.

Memedi tha se në dhjetor 2025, bashkë me kërkesën për vazhdimin e pëlqimeve për vitin 2026, Klinika ka dorëzuar edhe tabelat buxhetore ku paraqiteshin mjetet e nevojshme për pagat e punonjësve. Sipas tij, pavarësisht dokumentacionit të dorëzuar, përgjigjja negative ka ardhur vetëm më 22 prill 2026.

“Me të njëjtin plan-buxhet Ministria e Financave në 2025-tën, pas kërkesës sonë, i dha Klinikës së Fëmijëve pëlqime për angazhim të punonjësve me kontratat në vepër. Në dhjetor 2025, bashkë me kërkesën për vazhdimin e këtyre pëlqimeve për 2026-tën, Klinka dorëzoi edhe tabelë ku është shkruar saktë buxheti adekuat për këto punësime dhe buxheti që klinika posedon për pagesën e rrogave. Tek në 22 prill 2026 Klinika e fëmijëve merr përgjigje zyrtare negative nga Ministria e Financave në lidhje me kërkesën tonë të dërguar në dhjetor 2025”, tha Rexhep Memedi.

Nga ana tjetër, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ka paraqitur një version tjetër të ngjarjes. Ajo deklaroi se kërkesa nga Klinika e Fëmijëve në Ministrinë e Financave ka mbërritur më 22 janar, pra pasi punonjësit tashmë kishin nisur punën. Sipas saj, drejtoria e Klinikës ka qenë e obliguar ta sigurojë pëlqimin para fillimit të vitit të ri, në mënyrë që angazhimi i stafit të ishte i mbështetur ligjërisht.

“Më 22 janar ka arritur kërkesa nga Klinika e Fëmijëve. E para, 22 ditë si punonjësit kanë shkuar në punë, kur 22 ditë ka qenë e nevojshme ose kërkesa ky hyrë në Ministrinë e Financave pas 1 janarit, respektivisht më datë 22. Ai është dashur të sigurojë Pëlqim para vitit të ri, që të mundte t’i mbajë të punësuarit. Që do me thënë se sërish kthehemi tek pyetja se si i ka angazhuar dhe i ka thirrur në punë kur ligjërisht nuk mund ta bëjë”, theksoi Gordana Dimitrievska-Koçoska.

Përplasja mes institucioneve po zhvillohet në kohën kur Klinika e Fëmijëve përballet me mungesë serioze të stafit. Punonjësit dhe drejtuesit e Klinikës paralajmërojnë se gjendja në këtë institucion është rënduar ndjeshëm, me disa reparte që tashmë janë mbyllur dhe me shërbime që funksionojnë me kapacitete minimale.

Protestuesit thonë se pasojat e kësaj situate nuk po i ndjejnë vetëm punonjësit e mbetur pa kontrata, por edhe pacientët, pasi mungesa e personelit po e vështirëson funksionimin normal të Klinikës së Fëmijëve.