ASh: Skandal institucional, anulohet konkursi për administratë në Spitalin e Tetovës
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për anulimin e konkursit për 25 vende pune në administratën e Spitalit Klinik të Tetovës, raporton Portalb.mk.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se konkursi është anuluar pa sqarim të qartë ndërsa ky veprim dëshmon mungesë transparence dhe serioziteti në menaxhimin e punësimeve publike, duke cenuar besimin e qytetarëve.
“Kërkojmë përgjegjësi dhe sqarim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse. Punësimet duhet të bazohen në meritë dhe transparencë, jo në vendime të paqarta”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Ministria e Administratës Publike thanë se sipas strukturës institucionale të vendosur dhe rregullativës në fuqi, Ministria e Administratës Publike nuk ka kompetenca mbi procedurat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Administratë.
“Publikimi i shpalljeve për punësim në shërbimin shtetëror dhe publik realizohet përmes Agjencisë për Administratë, bazuar në kërkesën paraprake të vetë institucioneve. E njëjta procedurë vlen edhe në rastin e kundërt, që do të thotë, anulimi i një shpalljeje tashmë të publikuar bëhet ekskluzivisht sipas kërkesës së institucionit që e ka iniciuar shpalljen”, thanë nga Ministria e Administratës.
Spitali Klinik i Tetovës më 13.02.2026 e shpalli konkursin për punësimin e 25 nëpunësve shtetërorë në administratë.
Kujtojmë se konkursi tjetër për punësimin e 155 personave si staf mjekësor në Spitalin Klinik të Tetovës vijon të jetë i hapur pasi ka pasur ankesa në shkallën e dytë.
- LEXO: Punësimet në Spitalin e Tetovës: Vijojnë ankesat, konkursi ende nuk është mbyllur
- LEXO: Kaos në Spitalin e Tetovës: ASh-ja akuzon për ryshfet në konkurs dhe paga të vonuara, spitali mohon
Kujtojmë se edhe konkursi paraprak në Spitalin e Tetovës u përcoll më shumë bujë, protesta dhe ankesa. Fillimisht konkursi u zvarrit për disa muaj, ndërsa më pas nuk u pranuan të gjithë të punësuarit me kontrata në vepër ashtu siç u premtua.