Pritshmëritë

Viti i ri lidhet gjithmonë me pritshmëritë për një vit më të mirë, më të mbarë e me më shumë mundësi. Të gjithë shpresojnë se ajo që na pret duhet të jetë më e mirë se ajo që po lëmë pas. Të gjithë presin diçka më shumë, diçka më mirë, diçka më bukur. Dhe kështu është në çdo fillim të vitit të ri. Njerëzit bëjnë rezoluta të ndryshme dhe vendosin që të mbajnë dietë, të lënë duhanin, ose thjesht të bëhen persona më të mirë. Dhe dalë ngadalë javët mbarojnë njëra pas tjetrës, viti i ri bëhet i vjetër, dhe në fund të vitit sërish nuk jemi të kënaqur me arritjet dhe bëjmë rezoluta të reja dhe presim diçka më shumë nga viti i ardhshëm që do të vijë. Kam vërejtur që problemi te kjo mendësi qëndron tek një gjë e vetme: tek pritshmëritë.

Po t’i krahasojmë pritshmëritë tona me atë që kemi fituar gjatë viteve të fundit do të binim në dëshpërim të thellë. Kur lamë pas 2019tën me plot shpresa të reja për 2020, na kaploi epidemia me Covid-19 që ishte një tërmet i vërtetë për krejt botën dhe që i definoi edhe tri vitet në vazhdim. Pastaj kur prisinim vitin e ri 2022, kaploi kriza energjike dhe inflacioni i madh, tërmet i dytë për ekonominë botërore, si pasojë e luftës në Ukrainë e cila nuk po mbaron ende edhe pas dy vitesh. Në secilin vit të ri që ka ardhur, pritshmëritë tona kanë qenë shumë më të mëdha se sa ajo që ndodhi në realitet. Kështu që kam vërejtur, që problemi qëndron tek pritshmëritë.

Kam vendosur që sivjet të mos kem pritshmëri të mëdha për vitin që po fillon. Kështu shanset për zhgënjim janë më të vogla. Më pak pritshmëri për gjithçka, për politikën botërore, për gjendjen ekonomike, për zhvillimet kombëtare. Më pak pritshmëri për të gjithë njerëzit rreth meje, më pak pritshmëri edhe për veten. Si duket jemi tepër ambiciozë dhe kur nuk shkon gjithçka ashtu siç duam ne, kjo na krijon shumë shqetësim. Për të mos u shqetësuar, ndoshta është më mirë të kemi sa më pak pritshmëri. Atëherë, gjithçka e keqe që mund të ndodhë nuk do të jetë e papritur, sepse pritshmëritë edhe ashtu i kemi të ulëta, ndërsa gjithçka e mirë që mund të ndodhë do të na duket si bonus, si një surprizë e bukur. Siç duket për një kohë shumë të gjatë presim gjëra të pamundura nga jeta, ndërsa universi qe disa vite me radhë na tregon qartë se ambiciet tona si qenie njerëzore janë të pafund, dhe shërbejnë si burim i pashtertshëm i shqetësimit, frikës dhe zhgënjimit.

Kam vendosur që këtë vit ta filloj pa pritshmëri të posaçme. Të shohim çka do të ndodh në një vit nga i cili njeriu thjesht nuk pret asgjë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.