Katër të dyshuarit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit u morën në pyetje (VIDEO)

Sonte në Gjykatën Penale në Shkup u morën përsëri në pyetje të dyshuarit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Në mesin e tyre është edhe Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjës, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Në gjykatë arritën nën sigurim të përforcuar policor me pranga në duar, koka të rruara dhe me tesha burgu.

Prokuroria sot përfundoi procedurën parahetimore dhe dha urdhër për hetim si dhe kërkoi edhe 30 ditë paraburgim për të dyshuarit.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti ka lidhje me zhdukjen e Vanjës. Më 3 dhjetor u gjet trupi i pajetë i saj.