Para se të dërgohet në Qeveri, propozimi për ndryshime kushtetuese shqyrtohet nga Ministria e Drejtësisë

Para se të dërgohet në Qeveri, në Ministrinë e Drejtësisë është duke u shqyrtuar propozim-iniciativa për ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët dhe popujt e tjerë do të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka bërë të ditur Ministria në një deklaratë për MIA-në, duke theksuar se propozim-iniciativa është duke u kontrolluar nga pikëpamja teknike, pas së cilës do të përkthehet në gjuhën shqipe.

Pasi të jetë gati përfundimisht, do të dërgohet në Qeveri. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë do të duhet ta shqyrtojnë dhe ta miratojnë në seancë, pas së cilës propozim-iniciativa do t’i kalojë Kuvendit.

Më 26 maj, grupi punues për ndryshime kushtetuese miratoi Propozim-iniciativën për amendamente kushtetuese, sipas së cilës në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë, përveç popullit bullgar, duhet të përfshihen popujt kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian. 

“Amendamenti i dytë është në pjesën që flet për diasporën dhe në amendamentin 35, i cili zëvendësohet me nenin 49 dhe amendamentin 2. Në këtë amendament të Kushtetutës, i cili zëvendëson nenin 49 dhe amendamentin 2, pas popullit boshnjak janë shtuar të njëjtat fjalë- popujve që janë përmendur në preambulë”, tha kryetarja e grupit punues, Margarita Caca-Nikolovska, pas miratimit të Propozim-iniciativës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të shtunën se Qeveria me vëmendje të madhe do ta përcjell Propozim-iniciativën për ndryshime kushtetuese, sepse siç tha ai, ky është procesi më i rëndësishëm për momentin në vend.

Sipas njoftimeve, tema e amendamenteve kushtetuese do të jetë në tryezë në takimin e Kovaçevskit me liderin e opozitës Hristijan Mickoski, i cili u iniciua nga kryeministri.

negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.