Vazhdon skriningu i RMV-së për klasterin e tretë -Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, ndodhet në vizitë dyditore në Bruksel, ku vazhdon skriningu bilateral nga Klausteri 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, transmeton Portalb.mk.

Sot në agjendën e skriningut bilateral është kapitulli 26, “Arsimi dhe kultura” dhe kapitulli 20, ku fjalën do ta kenë edhe ministrja e Kulturës, Kostadinovska Stojçevska dhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ndërsa nesër kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe politika industriale“.

Në kuadër të vizitës, zëvendëskryeministri Mariçiq, përveç pjesëmarrjes në takimet e skriningut, do të ketë disa takime në Parlamentin Evropian me eurodeputetë nga grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve Tonino Pizzula, Matjazh Nemets, Andreas Schider, eurodeputet nga grupi i të Gjelbërve, Tineke Strike dhe eurodeputeti nga grupi i Evropës së Përtërirë, Clemen Groshelj.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Sidoqoftë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Megjithatë, Instituti Maqedonas për Demokraci, pas analizimit të konkluzioneve të Këshillit të Evropës, të miratuara pas nënshkrimit të Protokollit me Bullgarinë në korrik të vitit të kaluar, vlerëson se përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk është kushti i vetëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. 

Sipas këtij instituti, edhe pse nuk përmenden në mënyrë eksplicite, aty janë përfshirë edhe çështje të tjera që Shkupi duhet t’i përmbushë, si çështjet historike në tekste shkollore, dallimet gjuhësore dhe gjuha e urrejtjes, mospërmbushja e të cilave, sipas institutit – në një fazë të mëvonshme – mund të pengojë procesin e integrimit evropian të vendit.