Mickoski: Do të shkoj në takim me Kovaçevskin, por nuk kam shumë shpresë

Lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, sonte ka paralajmëruar se do të shkojë në një takim të mundshëm liderësh, të cilin e paralajmëroi kryeministri Dimitar Kovaçevski. Por, siç tha Mickoski duke folur nga tribuna partiake në Dellçevë, nuk ka shpresa të mëdha nga një takim i tillë, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Këto ditë kanë paralajmëruar takim liderësh. Të them të drejtën, nuk kam shumë shpresë, edhe pse do të marr pjesë në takim, sepse sa herë që diskutohet për të ardhmen e Maqedonisë, mendoj se është e nevojshme të marr pjesë. Në të njëjtën kohë, në atë takim dua që kryeministri të jetë në dijeni të kohës pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese”, tha Mickoski.

Ai theksoi se askush nuk mund ta bindë se amendamentet kushtetuese tani janë zgjidhja e vetme.

“Ka ardhur koha që pas 30 vitesh pavarësi të dëshmojmë veten për diçka që është e panevojshme. Ka ardhur koha për të shpjeguar diçka që nuk duhet të jetë objekt diskutimi në shekullin e 21. Ka ardhur koha që dikush të na mohojë neve, historinë tonë, gjuhën tonë, ekzistencën tonë dhe atë jo më pak se një shtet anëtar të Bashkimit Evropian. Askush, por absolutisht askush, nuk mund të më bindë se një marrëveshje më e mirë nuk mund të ishte bërë. Askush nuk mund të më bindë të shkel mbi identitetin tim, me çdo kusht. Askush nuk mund të më bindë se amendamentet kushtetuese janë tashmë e vetmja zgjidhje. Dhe ky është një fakt. Dhe askush, askush nuk mund të më bindë se ndryshimet kushtetuese tani janë zgjidhja e vetme. Dhe ky është një fakt”, deklaroi Mickoski.

Kreu i LSDM-së dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, të shtunën njoftoi se në dhjetë ditët e ardhshme planifikon ta ftojë në takim të përbashkët kryetarin e opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.n

Në takim, siç tha kryeministri, potencialisht do të diskutohen dy tema.

E para – tha Kovaçevski – do të jetë në lidhje me marrjen e vendimeve që nevojiten për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në fokus të temës së dytë, siç tha ai, do të jetë harmonizimi i qëndrimeve për marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e vendit.

Të premten (26 maj 2022) Ministria e Drjetësisë njoftoi se grupi punues për ndryshimet kushtetuese miratoi Propozim-iniciativën për nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë me qëllim të ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ministria sqaroi që propozimi pasi t’i dorëzohet Qeverisë, kjo e fundit duhet të përcjell çështjen në Parlament për miratimin e plotë.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Sidoqoftë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.