Edhe pse raportet ndërkombëtare theksojnë korrupsionin në prokurimet publike, Qeveria e RMV thotë se është transparente

Mënyra e prokurimeve publike në Maqedoninë e Veriut është kritikuar vazhdimisht, e sidomos kohën e fundit. Raporti i skriningut, Raporti i progresit dhe Qendra për Komunikime Civile, dokumentojnë se në prokurimet publike nuk ka transparencë dhe madje ka edhe keqpërdorime dhe korrupsion. Por, pas injorimit disa-mujor të Qeverisë për të kthyer përgjigje rreth kritikave të KE-së, ajo thotë se niveli i transparencës së furnizimeve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i siguruar në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe, madje sipas tyre, dukshëm i tejkalon kushtet e parapara me Direktivat për furnizim publik, raporton Portalb.mk.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, theksojmë se niveli i transparencës së furnizimeve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i siguruar në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare dhe dukshëm i tejkalon kushtet e parapara me Direktivat për furnizim publik. Sistemi elektronik për furnizim publik është i vetmi ueb-lokacion ku çdo subjekt i interesuar mund të marrë të dhënat përkatëse për të gjitha shpalljet e publikuara për furnizim publik, të gjitha kontratat e lidhura, si dhe ankesat e parashtruara në procedurat e furnizimit publik. Në dispozicion janë edhe vetë kontratat, të cilat i bashkëngjiten si dokumente të skanuara të gjitha njoftimeve për kontratat e lidhura”, theksojnë nga Qeveria e RMV-së.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk

Lidhur me pyetjet nëse po ndërmerret ndonjë masë për të përmirësuar situatën dhe a ka ndonjë plan për të pastruar pasqyrën e keqe që ka vendi në fushën e prokurimeve publike, nga Qeveria thotë se Byroja për Furnizime Publike, punon vazhdimisht për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e ligjit.

“Lidhur me vërejtjen e Komisionit Evropian për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e ligjit të organeve kontraktuese dhe operatorëve ekonomikë, ju njoftojmë se Byroja për Furnizim Publik zhvillon aktivitete të vazhdueshme trajnuese përmes programit të edukimit dhe certifikimit të personave për furnizim publik. Vetëm në vitin 2023 janë realizuar 15 trajnime për certifikim në të cilat kanë marrë pjesë 304 pjesëmarrës, si dhe 14 trajnime ricertifikimi në të cilat kanë marrë pjesë 260 persona”, shtojnë nga Qeveria.

Përpjekjet për rritjen e kapaciteteve, thonë nga pushteti ekzekutiv, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Shteti merr masa dhe aktivitete për avancimin e furnizimit publik, ndërsa për më shumë informacion mund të shihni edhe Strategjinë për avancimin e sistemit të furnizimit publik në periudhën 2022-2026, ku parashikohen fushat dhe aktivitetet prioritare që janë planifikuar të ndërmerren”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Koment për shqetësimin e BE-së lidhur me kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d?

Në kërkesën tonë për të komentuar shqetësimin e BE-së për kontratën për në ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d, nga Qeveria nuk thonë se do të zhbëhen parregullsitë në procedurë të përmendura nga BE-ja, por shtojnë se tani aplikohet sistem i ri ndërtimi, që është frytshme në projektim.

“Sa i përket procedurave të ndërtimit, tashmë kemi bërë me dije se për herë të parë po aplikojmë një sistem të ri ndërtimi “projekto dhe ndërto”, i cili është një mënyrë më efikase dhe më e shpejtë e ndërtimit të rrugëve ndryshe nga mënyra e vjetër, e cila rezultoi shumë joefikase dhe krijon probleme në fushën e projektimit dhe zgjatjes së afateve të ndërtimit”, thonë nga Qeveria.

Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komisioni Evropian foto nga: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këtu ata përmendin rëndësinë e korridoreve, që siç shprehen, me to, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmbush një interes të madh strategjik për vendin dhe për mbarë rajonin, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët, kompanitë dhe mbarë ekonomia.

“Nga pikëpamja e integrimit të vendit në lidhjet rajonale dhe rrjetet T-ENT, përfundimi i Korridorit 8 është jashtëzakonisht i rëndësishëm, si Korridor që Komisioni Evropian e vendosi në hartën kryesore të korridoreve evropiane në vitin 2023”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Kujtojmë se kritika të njëpasnjëshme kanë ardhur nga BE-ja dhe sektori civil ndaj Maqedonisë së Veriut për mënyrën jotransparente të prokurimeve publike. Herën e fundit kjo çështje u kritikua nga Qendra për Komunikime Civile, në Raportin e skriningut dhe në Raportin e progresit.

Fusha e Prokurimit publik në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar si mesatarisht e përgatitur, me progres të kufizuar në periudhën raportuese. “Kapaciteti i institucioneve kryesore, autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë duhet të rritet përmes trajnimeve të vazhdueshme”, thuhet në raportin e KE-së.

“Dhënia e drejtpërdrejtë e kontratës për ndërtimin e Korridorit VIII dhe X-d ngre shqetësime pasi e përjashton projektin nga zbatimi i ligjit për prokurimin publik”, thotë raporti.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.