Nisma për daljen e Maqedonisë së Veriut nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

Maqedonia e Veriut do ta shqyrtojë largimin nga nisma Ballkani i Hapur, pasi tashmë ka informacione se Serbia ka qenë e përfshirë në incidentin në Banjskë të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, raporton Radio Evropa e Lirë

Osmani tha se Serbia ka vepruar në kundërshtim me synimet e kësaj nisme, përfshirë pajtimin për të krijuar parakushte për mbylljen e kontestit Kosovë-Serbi dhe për njohjen reciproke dhe liberalizimin e tregut rajonal.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë të enjten se “në Qeveri ende nuk ka arritur një kërkesë e tillë nga MPJ-ja për t’u diskutuar nga ekzekutivi”.

Deklarata e Osmanit pason një reagim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, të hënën më 15 prill. Ajo përkujtoi deklaratën e Osmanit se Maqedonia e Veriut do të shqyrtojë pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur, në rast se Serbia është e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

Përplasjet e tilla po ndodhin në kohën e fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut. Lidhur me paralajmërimin e Osmanit, ka reaguar edhe Taravari duke akuzuar atë dhe BDI-në për “lidhje me Serbinë dhe Rusinë”.

Kundër paralajmërimit të Osmanit u shpreh edhe zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq nga LSDM-ja dhe Presidenca e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale pritet të largohet nga nisma Ballkani i Hapur, nismë e cila kishte arritur të përfshin në ndonjë formë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, në përjashtim të Republikës së Kosovës. Tërheqje nga Ballkani i Hapur ka paralajmëruar kandidati i Frontit Europian, Bujar Osmani dhe kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohej të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.