Sipërmarrësit e rinj në RMV u bëjnë thirrje partive për mbështetje më të madhe të sipërmarrësve të rinj

Unioni i sipërmarrësve të rinj “Phoenix Rising” nisi përgatitjen e një Deklarate për mbështetjen e sipërmarrësve të rinj. Përkatësisht, bëhet fjalë për dokument publik për afirmimin e ndërmarrësve të rinj në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Kjo Deklaratë u ofrohet të gjithë të rinjve politikë dhe partive që janë pjesë e procesit zgjedhor.

Deklarata trajton disa tema të rëndësishme për sipërmarrësit e rinj dhe bizneset fillestare:

• Shteti duhet të jetë garantues për dhënien e kredive me interes 1% për sipërmarrësit e rinj;
• Përafrimi dhe harmonizimi i legjislacionit vendas me politikat e BE-së në fushën e sipërmarrësve të rinj;
• Lirimi nga pagesa e kontributeve të sipërmarrësve të rinj;
• Mbështetja e një panairi për sipërmarrësit e rinj;
• Sistemi i vauçerëve për të mbështetur sipërmarrësit e rinj;
• Fokus më i madh në lëndën “Sipërmarrje” në shkollat ​​e mesme etj.

E gjithë deklarata mund të shkarkohet, lexohet dhe nënshkruhet këtu: https://shorturl.at/bCGL9

“Edhe pse vetë deklarata nuk është e detyrueshme, ajo përsëri paraqet thirrje për mbështetje më të madhe për sipërmarrësit e rinj në Maqedoni. Jemi në mes të zgjedhjeve, kur partitë premtojnë shumë, ndërsa ne duam të flasim më shumë për të rinjtë, për idetë e tyre, risitë dhe sigurisht mbështetjen e bizneseve të tyre”, thotë Ivona Trajanovska, kryetare e Unionit.

Përndryshe, Unioni i sipërmarrësve të rinj ekziston prej më shumë se një viti dhe është një shoqatë që bashkon 66 biznese vendase që operojnë në fusha të ndryshme. Unioni mundëson promovimin, mbështetjen, rrjetëzimin e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfaqësimin e interesave të tyre etj.