RMV, protesta e 1 Majit, kërkohet paga minimale të jetë të paktën 450 euro

Tradicionalisht edhe këtë vit, më 1 maj, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) do të organizojë protestë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Siç njoftoi më 23 prill, kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov, në këtë protestë do të kërkojë kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe transportit në vlerë prej 20 përqind, si dhe rritjen e pagës minimale në të paktën 450-euro në 100 ditët e para pas formimit të qeverisë së re, njofton Radio Evropa e Lirë. 

Duke paralajmëruar protestën e 1 Majit, Trendafilov shpjegoi se lëvizja punëtore po përballet me një sfidë serioze për qëndrimin e politikëbërësve të cilët në të kaluarën “dëshmuan se kujdesen për veten e tyre, por jo për punëtorët” tha ai.

“Sot punëtorët në Maqedonin e Veriut  përballen me presion për jetesën e tyre për shkak të rritjes së kostos së jetesës, si dhe pagave të ulëta. Punëtorët janë tepër të pakënaqur me gjithçka”. Ne protestojmë sepse kanë qenë të shurdhër ndaj kërkesave tona gjatë periudhës së kaluar. Sot, si asnjëherë më parë, kemi punëtorë në “Pyjet e Maqedonisë”  të cilët që tre muaj nuk e kanë marrë rrogën,  punëtorë në “Ujësjellësi” që po ashtu  nuk e kanë marrë pagën e fundit. Punonjësit e kulturës përmes protestave luftuan për pagesën e rrogës me rritjen e pagës minimale dhe një mori punëtorësh të tjerë që po luftojnë për ekzistencën e tyre sipas të dhënave të DAPit ku thuhet qartë se mbi 20 mijë punëtorë marrin një pagë më të ulët se minimumi”, tha  Trendafilov.

Trendafilov shpjegoi se punëtorët e vendit po varfërohen vazhdimisht, duke theksuar se ky është momenti i duhur për të ngritur zërin dhe për të dalë në protestat e 1 Majit.

“Për fat të keq, punëtorët në Maqedoni nga janari deri në prill janë më të varfër për rreth 3000 denarë ose 50-euro në muaj. Nëse kjo nuk është arsye e mjaftueshme që ata të na bashkohen në protestën e 1 Majit dhe nëse kjo nuk është arsye e mjaftueshme që ata të dalin dhe të thonë se rrogat janë shumë të ulëta dhe kostot janë shumë të larta, duhet të mendohen dy herë. Ajo që mund të them është se barriera psikologjike prej 60 mijë denarë sigurisht që kalohet me kalkulimin e ri të shportës minimale sindikale dhe kjo duhet të jetë karton i kuq për të gjithë ata që dyshuan në llogaritjen e shportës minimale sindikale, megjithatë, ata dyshuan dhe treguan se punëtorët në Maqedoni mund të mbijetonin me shumë më të ulët. Me 2500-euro është e lehtë të krijosh politikë, me 22500 denarë vështirë të mbijetosh”, theksoi Trendafilov.

Protesta e 1 Majit do të fillojë në ora 11:00 para Shtëpisë së punëtorëve, më pas punëtorët do të shkojnë në Kuvend, te Oda Ekonomike e RMV-së dhe protesta do të përfundojë para Qeverisë.

Punëtorët e Maqedonisë së Veriut edhe më herët kanë dalur në protesta, por ende nuk kanë marrur atë që dëshirojnë.