Osmani: Urime Ukrainës dhe Moldavisë, sot mund të ishte ditë feste edhe në Maqedoni

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i ka dërguar urime Ukrainës dhe Moldavisë me rastin e vendimit të BE-së për fillimin e negociatave me dy vendet. Ai ka shtuar se kjo mund të ishte ditë feste edhe në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Urime Ukrainës dhe Moldavisë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Sot mund të ishte një ditë për të festuar edhe këtu për hapjen e kapitujve, por forcat e errëta antievropiane po mbajnë peng 2 milionë qytetarë.
Edhe pak!”, thuhet në postimin në profilin zyrtar të Osmanit në Facebook.

Dje, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kjo ditë për Maqedoninë e Veriut ka mundur të ishte ditë fitimtare në të cilën, pas skriningut të suksesshëm, vendi me sukses dhe shpejt vazhdon me hapjen e kapitujve dhe procesin e integrimit evropian. Sipas Kovaçevskit, dëmi është i madh që opozita në vend është frenuesi kryesor për të ardhmen evropiane të vendit. Qytetarët, tha kryeministri, mund të jenë të sigurt se me qëndrime të tilla kundër BE-së dhe NATO-s të opozitës do t’u hiqet mundësia për t’iu bashkuar shpejt familjes progresive evropiane.

Vendimi i liderëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është marrë pas disa orë bisedimesh, është bërë i ditur nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Dje, BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit dhe negociatat me Bosnje-Hercegovinën do të hapen kur të arrihet niveli i nevojshëm i përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

Krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së dje gjatë Samitit të BE-së në kuadër të debatit për zgjerimin e BE-së miratuan konkluzionet për procesin për vendin tonë, duke treguar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, sapo vendi të ketë zbatuar zotimin e tij për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në vendimet e Këshillit të BE-së të datës 18 korrik 2022.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.