BE-ja i filloi bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë për anëtarësim, ndërsa Gjeorgjisë i dha statusin e vendit kandidat

27 liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, raporton KlanKosova. Blloku gjithashtu i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, pasi më parë i ishte mohuar një titull i tillë.

“Një sinjal i qartë shprese për popullin e tyre dhe për kontinentin tonë”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

Për më tepër, BE “do të hapë negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit”.

Komisioni Evropian do të duhet të raportojë deri në mars mbi përparimin e bërë nga vendi ballkanik për të vendosur hapat e ardhshëm, raporton Euronews.

Përparimi i së enjtes, i arritur gjatë një samiti të liderëve në Bruksel, erdhi mes kërcënimeve të vetos dhe retorikës antagoniste të kryeministrit hungarez, Viktor Orbán.

Në ditët para takimit, Orbán ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Ukrainës për të filluar negociatat dhe besueshmërinë e Komisionit si një arbitër i paanshëm.

“Zgjerimi nuk është një çështje teorike, është një proces i bazuar në merita, ligjërisht i detajuar, i cili ka parakushte”, tha Orbán pas mbërritjes të enjten. “Nëse nuk i keni përmbushur kushtet paraprake, nuk ka asnjë shans për të filluar negociatat”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e bëri Orban të heqë veton e tij. Kryeministri besohet se ka abstenuar gjatë votimit, i cili kërkonte unanimitet.