Sholzi i tha Orbanit të dilte nga dhoma, që liderët tjerë të BE-së të vendosin unanimisht për Ukrainën

Pas tre orësh bisedimesh të bllokuara midis liderëve të BE-së për fillimin e bisedimeve të pranimit me Ukrainën, kancelari gjerman Olaf Scholz i sugjeroi kryeministrit hungarez Viktor Orbán: “Pi një kafe jashtë dhomës”, raportoi Politiko, duke cituar tre zyrtarë të njohur me këtë ngjarje, transmeton Portalb.mk.

Nëse Orbán është kundër hapjes së bisedimeve të pranimit me Kievin, kancelari gjerman i sugjeroi atij të largohej nga dhoma për shkurt kohë. Scholz ua bëri sugjerimin kolegëve të tij të BE-së të mbledhur në një tryezë të rrumbullakët në samitin e mbrëmshëm të liderëve në Bruksel.

Ideja, tha Scholz, është që të lejohen 26 liderët e BE-së që mbeten në dhomë të miratojnë fillimin e negociatave me Ukrainën. Një vendim i tillë kërkon unanimitet dhe rregullat e BE-së e lejojnë atë të ndodhë pa një lider nëse ai mungon. Në të njëjtën kohë, Orban do të mund të thotë se votoi në favor të Ukrainës.

Pasi Scholz dhe Orbán folën mënjanë, Orbán u largua nga dhoma, duke i hapur rrugën vendimit historik të BE-së për Ukrainën.

Ideja që një udhëheqës i BE-së mund të largohet nga dhoma për të marrë një vendim unanim është shumë e pazakontë. Në fakt, udhëheqësit dhe diplomatët e tjerë në samit nuk mund të thoshin nëse lëvizja e Scholzitishte përdorur më parë.

“Ai përdori një truk të vjetër nga koha e tij në Socialistët e Rinj,” tha një zyrtar në samit, duke iu referuar organizatës rinore të partisë SPD të Scholz, kur ai ishte nënkryetar në vitet 1980.

Pasi udhëheqësit e BE njoftuan vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit me Ukrainën, Orban tha në Facebook: “Hungaria nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij vendimi të keq”.