Nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin e Bullgarisë, RMV-ja duhet të përmbushë detyrimet ndaj BE-së, vlerësoi kryeministri Bullgar

Kryeministri bullgar – Nikollaj Denkov në një intervistë për “24 çasa” ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye që Bullgaria të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe se se pret që RMV-ja të përmbushë detyrimet e marra me propozimin francez, transmeton Portalb.mk.

Nëse qëndrimi bullgar ndaj RMV-së do të ndryshonte nëse mund të ndodhë presion i ri evropian ndaj Sofjes, Denkov tha se qëndrimi i Bullgarisë nuk do të ndryshojë.

“Me zbatimin e të ashtuquajturit propozim francez, si rezultat i të cilit u hoq vetoja, në fakt biseda nuk është më mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes RMV-së dhe BE-së. Ajo që pritet është që fqinjët tanë të përmbushin detyrimet e marra ndaj BE-së. Nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë”, tha Denkov.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.