Krimi i Bujar Osmanit dhe BDI-së me tenderë milionësh është pengesa e vetme për në BE, reagoi Lëvizja Besa

Në lidhje me tenderin prej 1.8 milionë euro të Ministrisë së Punëve të Jashtme ndaj kompanisë “Eurovia” për përshtatjen e qendrës sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së, sot ka reaguar Lëvizja Besa. Ata thonë se funksionarët e BDI-së vazhdojnë për çdo ditë të dëshmojnë se sa janë anti-evropian dhe pro-krimit dhe korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

“Skandali i fundit i publikuar në media, ku ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i ndan 1.8 milion euro kompanisë “Eurovia” e cila është njëra nga donatorët kryesorë të BDI-së dhe e udhëhequr nga funksionarë të BDI-së, dëshmon se pushteti LSDM-BDI nuk e ka synim integrimin në BE, por pushtetin për të kurdisur tenderë dhe për tu pasuruar funksionarët e saj dhe partia”, thonë nga Lëvizja Besa.

Ata kërkojnë të ketë zgjedhje parlamentare dhe “qytetarët të kenë mundësi të ndëshkojnë këtë pushtet kriminal”. Ndërsa institucioneve përkatëse u bënë thirrje që të veprojnë urgjentisht.

Përndryshe, 1.8 milionë euro do të transferohen nga Ministria e Punëve të Jashtme në llogarinë e kompanisë ndërtimore “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës, për përshtatjen e qendrës sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së, e cila do të mbahet në Shkup në dhjetor të këtij viti, raportuan disa media. Kompania, drejtor ekzekutiv i së cilës është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi, është zgjedhur në mesin e katër kompanive që kanë aplikuar në tender. Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, dje përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.