Charles Michel bëri thirrje për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese në RMV pavarësisht sfidave

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje ka takuar kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, njoftoi Qeveria. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Kovaçevskit në Republikën e Sllovenisë, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, transmeton Portalb.mk.

“Në takimin ku morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, me fokus fillimin e suksesshëm të procesit përndryshimet kushtetuese në Kuvend.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ndryshimet kushtetuese paraqesin një shans unik dhe të papërsëritshëm për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut brenda BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ndikojë pozitivisht në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të rajonit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Pas takimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrja Mariçiq, ministri Osmani, si dhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili në rrjetin social “X” (ish Twitter) shkruan:

“E vlerësova lidershipin dhe vendosmërinë e Dimitar Kovaçevskit për të avancuar Maqedoninë e Veriut në agjendën e reformave të BE-së dhe për të dhënë rezultate konkrete. Unë e mbështes plotësisht nismën për të sjellë ndryshimet kushtetuese pavarësisht sfidave të shumta politike.

Dimitar Kovaçevski i është drejtuar rrjetit social Facebook, ku ka shkruar:

“Me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në takimin në Slloveni, kemi shkëmbyer mendime për rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese. Biseduam për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit, për të cilin kemi mbështetje edhe nga BE-ja.

Jemi dakord që të gjithë aktorët politikë kanë detyrimin të kontribuojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit, sepse Maqedonia e Veriut duhet të përfitojë nga ky shans unik për anëtarësim në BE”.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në profilin e tij në Facebook ka shkruar:

“Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për realizimin e objektivit strategjik: Maqedonia anëtareme të drejta të plota në BE deri në vitin 2030, për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë të qytetarëve tanë.

Unioni është partneri ynë pa mëdyshje në realizimin e agjendës së reformave të brendshme”.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, po ashtu në Facebook, ndër të tjera ka shtuar:

Tashmë kemi bërë progres në integrimet evropiane dhe kemi intensifikuar bashkëpunimin me BE-në, e cila sheh Maqedoninë e Veriut një partner të besueshëm dhe një shtet që duhet të jetë pjesë e familjes evropiane dhe një promovues i fuqishëm i vlerave evropiane dhe bashkëpunimit rajonal.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.