Mickoski: Bota po bën strategji për të thyer VMRO-DPMNE-në që t’i votojmë ndryshimet kushtetuese

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se bota po bën plane dhe strategji si ta thyej VMRO-DPMNE-në dhe 44 deputetët e saj për të votuar për amendamentet kushtetuese. Duke folur në një ngjarje partiake në Kërçovë, Mickoski tha se po bëjnë një luftë të fortë, por se do të durojnë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar, transmeton Portalb.mk.

“Sot, teksa flas, ne jemi përballë një sfide historike epokale. Sot Evropa, bota po bën një strategji se si të thyhet VMRO-DPMNE dhe ata 44 të votojnë amendamentet e pabesa kushtetuese në parlament të përshtatura sipas diktatit bullgar. Bota dhe Evropa po e mendojnë sot dhe po bëjnë një plan për të na thyer. Mos mendoni se ata janë Dimitar Kovaçevski, Ali Ahmeti apo Bujar Osmani. Dhe mos mendoni se është e lehtë, nuk është. Po bëhet një luftë e fortë për të mbrojtur nderin e popullit maqedonas”, tha Mickoski.

Ai po ashtu tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht nëse do të jenë të parakohshme apo të rregullta, pasi që muaj janë në pyetje, VMRO-DPMNE do të arrijë rezultat historik.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.