Mickoski në takimin me Escobarin përsëriti qëndrimin e deritanishëm të VMRO-së për ndryshimet kushtetuese

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në takim me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadoren e SHBA-së, Angela Ageler, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe bëri me dije se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Në takim mori pjesë edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski.

“Në takim është konfirmuar qëndrimi i koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese. Kryetari Mickoski thekson se pushteti aktual në Maqedoni dezinformon bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe SHBA-në, për shumë çështje të brendshme politike. Edhe njëherë u konfirmua qëndrimi i partisë se përkushtimi dhe prioriteti thelbësor i VMRO-DPMNE-së janë vlerat e BE-së dhe euroatlantike. Në të njëjtën kohë, kryetari Mickoski tregoi se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të cilat qytetarët do të zgjedhin një qeveri me legjitimitet”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Në takim, thuhet më tej, të dyja palët theksuan nevojën e forcimit dhe thellimit të miqësisë strategjike mes dy vendeve.

Mbështetje të fortë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut sot në Shkup në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, shprehu ndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në SHBA në përballimin e sfidave dhe shprehu shpresën se procesi i ndryshimeve kushtetuese do të vazhdojë.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se është optimist i vërtetë dhe beson se anëtari i ardhshëm i BE-së do të jetë Maqedonia e Veriut. Ai u bëri thirrje edhe një herë deputetëve në Kuvend, duke theksuar se janë përfaqësues të qytetarëve, të guxojnë dhe të votojnë për të ardhmen evropiane të vendit. Kovaçevski u shpreh se nuk ka mundësi për marrëveshje të re dhe rinegociim të Kornizës negociuese.

Paraprakisht në takimin me Kovaçevskin pyetur nga gazetarët se si e komenton deklaratën e Mickoskit, me të cilin pritet të zhvillojë takim, i cili para ardhjes së tij në Maqedoni tha se nuk është i gatshëm për torturë dhe presion kur bëhet fjalë pr ndryshimet kushtetuese, por se është vetëm i mirëseardhur që t’i dëgjojë argumentet e tij, Escobar tha se nuk ka ardhur për të torturuar askënd dhe se është i gatshëm për shkëmbim pikpamjesh.

“Unë s’jam këtu për të torturuar askënd. Unë jam këtu për të dhënë të njëjtin mesazh që kam dhënë në të gjithë rajonin, që SHBA i sheh si partnerë natyrorë ata që janë të përkushtuar ndaj integrimit evropian, të përkushtuar ndaj NATO-s dhe luftës kundër korrupsionit. Dhe dua ta bëj të qartë atë pjesë në fund të fundit, unë dua edhe të dëgjoj shkëmbim të hapur të pikëpamjeve. Shpresoj të kemë më tepër cfarë të them për publikun pas takimit”, tha Escobar.

Gatë ditës së djeshme pati një takim me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, në të cilin, siç njoftuan nga kabineti i presidentit, shprehu pritjen nga Uashingtoni zyrtar se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Në takim u theksua mbështetja e SHBA-ve në aspiratat evropiane të vendit tonë. Ndërkohë, u theksua edhe pritshmëria nga Uashingtoni zyrtar që Maqedonia do të vazhdon rrugën për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, deklarojnë nga presidenca.

Presidenti Pendarovski ka theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane në realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut.

“Në takim u diskutuan hapat e radhës që duhet t’i marrë Maqedonia e Veriut që të përparon në procesin integrues në Bashkimin Evropian”, deklaroi Pendarovski.

Vizita e Eskobarit erdhi pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e amendamenteve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me BE-në. Rendi i ditës i seancës u miratua me 70 vota “pro”, dhe pas shterjes së diskutimit për propozim-vendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e shtyu votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave.

Në korrik të këtij viti, Escobar, në paraqitjen e tij para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, deklaroi se administrata amerikane po punon me autoritetet në Sofje në mënyrë që Bullgaria të mos japë kushte dhe kërkesa të reja pasi Maqedonia të përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshjet ekzistuese.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.