Nëntë zjarre janë akoma aktive në Maqedoninë e Veriut, vetëm në korrik janë regjistruar 288 zjarre
Në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit qershor janë regjistruar gjithsej 329 zjarre, ndërsa vetëm në këto ditët e para të korrikut janë regjistruar 288 zjarre, transmeton Portalb.mk.
“Për muajin korrik, deri më sot, janë regjistruar gjithsej 288 zjarre, prej të cilëve 26 janë zjarre pyjore, ndërsa 262 zjarre në bar të thatë të lartë, kashtore, pyje të ulëta dhe të degraduara, si dhe në deponi (plehra)”, raportoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Deri në ora 18:30, në Maqedoninë e Veriut ishin aktiv nëntë zjarre, katër nën kontroll, ndërsa 16 janë të shuara.
Nëntë zjarret aktive janë në Çuçer Sandevë, Prilep, Makeondski Brod, Dojran, Vasilevë, Çashkë, Kriva Pallankë, Tetovë dhe në Dellçevë. Tre zjarre nën kontroll gjenden në Makedonski Brod, ndërsa tjetri në Dellçevë.
Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Edhe përkundër përpjekjeve institucionale, në RMV ende ka zjarre aktive. Qeveria ka miratuar një vendim ku shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.