Zjarret në rajonin e Shkupit, u ndaluan tre shtetas të huaj
Lidhur me zjarrin në Stajkovci, tre fëmijë, shtetas të huaj, u privuan nga liria. Në përputhje me Ligjin për Drejtësinë për Fëmijë, ata u intervistuan dhe u liruan, ndërsa prokuroria vazhdon të ofrojë prova në lidhje me lidhjen e tyre të mundshme me zjarrin konkret ose me qëllimin për të kryer një krim tjetër. Kështu kanë njoftuar nga Prokuroria Publike, transmeton Portalb.mk.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu kanë njoftuar se janë ndaluar tre persona të mitur, shtetas të huaj, të cilët dyshohet se kanë lidhje me shkaktim të qëllimshëm të zjarreve në rajonin e Shkupit. Sipas MPB-së, tek të njëjtit janë gjetur disa mjete ndezëse.
“Në kuadër të aktiviteteve të gjera të ndërmarra lidhur me situatën me zjarret në rajonin e Shkupit, dje (09.07.2025) në territorin e NjPB Gazi Babë, konkretisht pranë vendit të quajtur “Kodra e Ajvatovcit” afër lagjes Ilinden, në orën 23:40, zyrtarët e policisë gjatë kontrollit të tre personave të mitur, shtetas të huaj, në një çantë shpine kanë gjetur dy shishe me nga 1,5 litra benzinë, dy pushkaliqe, një çakmak dhe ngjitës të lëngshëm, pas çka të njëjtit janë privuar nga liria. Në prani të një ekipi kujdestar nga institucioni publik Qendra për Punë Sociale dhe një avokat është zhvilluar bisedë zyrtare, pas së cilës ata janë dorëzuar me procesverbal në Qendrën për Punë Sociale për të Mitur”, thuhet në njoftimin e MPB.
Në lidhje me zjarret janë deklaruar për media edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza. Drejtori Muhamed Ali njoftoi se gjatë muajit qershor janë regjistruar gjithsej 329 zjarre, prej të cilëve 12 kanë qenë zjarre pyjore, ndërsa 317 zjarre në bar të thatë të lartë, kashtore, pyje të ulëta dhe të degraduara, si dhe në deponi.
“Për muajin korrik, deri më sot, janë regjistruar gjithsej 288 zjarre, prej të cilëve 26 janë zjarre pyjore, ndërsa 262 zjarre në bar të thatë të lartë, kashtore, pyje të ulëta dhe të degraduara, si dhe në deponi (plehra)”, tha Ali.
Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Edhe përkundër përpjekjeve institucionale, në RMV ende ka zjarre aktive. Qeveria ka miratuar një vendim ku shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh.