NEKO CAFÉ

“No estas sola, aluien te ama en la cuidad”

(Nuk jeni vetëm, dikush ju do në këtë qytet.)

 

Siç cekëm në shkrimin e javës së kaluar, gjatë qëndrimit në Panairin e Librit të Stambollit 2023, përveç detyrimeve formale gjetëm kohë edhe të lexojmë. Një nga blerjet ishte edhe i shumëshituri i autores hungarezo-spanjolle, Anna Sólyom, Neko Café. Në përkthim “Kafeneja e maceve”. Ideja e llojit të këtillë të lokaleve, të kopshteve të koteleve, origjinëne ka në Taipei, viti 1998; i pari është emërtuar “Xiǎo māo huāyuán” (Lulishtjae maceve). Turistët japonezë gjatë vizitave të tyre atje e regjistruan këtë fenomen dhe më 2004 Japonia u bë me kafenenë e parë të maceve më 2004, të cilat më pas janë shtuar vazhdimisht. (Zhang, 2019:9)

Neko Caféështë një roman që flet për jetën e një japonezeje, Nagore, me banim në Barcelonë e cila pasi është shpërngulur aty nga Anglia, ka mbetur edhe pa të dashurin edhe e papunë, e përballur me shumë probleme. Kur ishte në prag të humbjes së banesës, në ndihmë i vjen një mikeshë e vjetër, Lucia, e cila ia gjen një punë të veçantë, kameriere në një kafene me mace të cilën e menaxhonte Yumi, ku klientët mund të vinin edhe të kënaqeshin edhe e t’i përvetësonin ato. Nagore, ndonëse frikësohej shumë prej tyre, kishte ailurofobi, antipati apo fobi ndaj maceve, s’kishte nga t’ia mbante dhe u punësua te Yumi, një japoneze tjetër që e mbante këtë lokal. “Një ditë pash disa fëmijë që i jepnin qumësht një maceje të vogël, dhe më lindi një ide” – tregon Yumi.Ndërkohë,  Nagore që më parë kishte thënë “No way” për këtë punë, mësoi të bënte Café con leche, kafenë me qumësht dhe të futet në botën animale, të mësojë nga karakteri i këtyre shtatë gjallesave, që do t’i japin jetës së saj ngjyra të veçanta, do ta zbavisin dhe ta lumturojnë atë. Aventurën e filloi me porosinë e pronares së kafenesë: “Pranoje veten siç je, kështu s’do të kesh nevojë për aprovim nga të tjerët.”“Ji e sinqertë, imitimi i tjetrit të humb energji, të lodh.”

Në roman na paraqitet edhe ideja se s’ka punë të ulët, se duhet t’i shmangemi asaj që autorja e quan: “koloni e dembelëve”. Nagore e specializuar për dizajn grafik, punon një punë që s’ka të bëjë me profesionin e saj; zgjedh punën për të fituar vetë, për t’u pavarësuar financiarisht nga prindërit, për të shpëtuar nga “ngurrimi për të kërkuar para prej tjetrit”. Sólyom përmes Yumi-t na mëson se s’duhet shumë të brengosemi, se kridhemi në mendime edhe për gjëra që s’kanë kurrfarë rëndësie, se macet janë eksperte për të shikuar punët e veta në vend të brengosjes. Asgjë s’është e rëndësishme sa ç’duket, e tërë çështja është të jetosh.

Në këtë kafene macesh Nagore kuptoi edhe ikigai-n: shkakun që çdo mëngjes të bën të ndjesh se jeton, që të ngjall çdo agim, që të mundëson t’i bësh hapat e radhës, një pasion, ose synim i jetës. Neko Café është një roman inspirues, emocionues që flet për artin e të qenët i lumtur apo të gjetjes së lumturisë, që të tregon se “s’ke nevojë për nëntë shpirtramund të jesh i lumtur edhe me një!”Përmes kësaj kafeneje Nagore e gjen bashkëudhëtarin e jetës së vet Marc-un, një avokat që mbron qiraxhinjtë që humbin banesat e tyre si pasojë e transformimit urban, edhe Eliasin 98 vjeçar i cili kishte një mace Sort, që e Marc e la në azilin ku punonte Nagore. Ndërkohë Marc pranohet në punë në UNHCR me rrogë të lartë, por e refuzon nën pretekstin se paraja nuk është gjithçka. Elias-i para se të ndërronte jetë kishte ndryshuar testamentin, në vend shtetit, shtëpinë ia kishte dhuruar Marc-ut, dhe aty do të gjejë prehjen çifti i ri. Pra aventura e një vajze shpresëthyer, e falimentuar, e përdhunuar në agjencionin për komunikim,përfundon me njohuri të thella për botën e maceve, me shumë shokë e shoqe që gravitonin kafenenë, me kulm mbi kokë,me familje, si më mirë, si s’e kishte imagjinuar fare. Në këtë rrugë drejt lumturisë shumë i kishte ndihmuar urtësia e maceve, shtatë rregullat macore të jetës: “Ji i sinqertë me gjithë shpirt!”, “Gjithçka pranoje me qetësi, merri gjërat shtruar!”, “Merr një frymë!”, “Nëse je i kujdesshëm, gjen mundësi në çdo vend!”, “Ki kujdes për pamjen tënde, kurrë s’mund ta dish se kush të ndjek!”, “Bëhu fleksibël, por mos harro personalitetin tënd!”, “Gjithnjë ushqeje kureshtjen tënde!”

Kjo vepër e rëndësishme që ka simbolikën konsumimit të kohës së lirë urbane në stilin japonez, të ndikimit sociologjik të kafeve të maceve mbi klientët, mbi stafin njerzor dhe jonjerëzor (Nijima, 2016) ngjall ndjesinë e përkujdesjes për botën që na rrethon, edhe atë animale, por flet edhe për një trend të ngatërrimit të prioriteteve. Sot në vendet e Lindjes së Largët dhe ato perëndimore është shumë trendy që njerëzit të hapin pet caffe, ku njerëzit duke ngrënë a pirë mund të shikojnë macet, qentë, lepujt,bufat. Edhe në Ballkan dhe më gjerë ka njerëz qëruajnë ndonjë kafshë nëpër vatrat apo shtëpitë e tyre. Në ditë tona anekënd botës moderne njerëzit organizohen lidhur me kauzën animale, protestojnë, por është e çuditshme që nuk janë aq të organizuar në raste të katastrofave dhe të krimeve të bëra në cepat e ndryshëm të  rruzullit tokësor kundër njerëzimit. Rasti i fundit i Gazës e vërteton këtë. Një botë shurdhëmemece që s’e ka dhënë provimin e mbrojtjes së të drejtave elementare të njeriut, që ndërgjegjësisht duhet të jetë e paqetë ngase ka mbyllur sytë para një tentimi për zhdukje masovike të njeriut. Njerëzit frikësohen, ndërsa siç shprehet autorja: “Thesari që po kërkojmë qëndron në frikërat tona!” Jeta margjinale nuk sjell lumturi!Ne me gjithë qenien tonë duhet tëtregojmë se të përvuajturit s’janë vetë, se ka kush i do, se ka njerëz që brengosen dhe përkujdesen për ta! Libri përfundon me falënderime për gjithë ata që i shmangen dëmtimit të çdo gjallese ngase çdo jetë është e shenjtë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.