Joveski: Na duhet qasje sistematike ndaj gjetjeve të raporteve të revizionit

Duhet një qasje edhe më sistematike ndaj gjetjeve të raporteve të revizionit, para së gjithash nga institucionet qeveritare që duhet të heqin dobësitë, por edhe nga autoritetet hetimore lidhur me procedurat kundër abuzimeve të mundshme, transmeton Portalb.mk.

Këtë e theksoi prokurori publik Lubomir Joveski në punëtorinë me qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mënyrën e veprimit sipas raporteve të auditimit, ku morën pjesë përfaqësues të prokurorive publike në vend dhe të Entit shtetëror për revizion.

“Bashkëpunimi ynë duhet të jetë i fortë, sepse synimet tona janë të përbashkëta. Dhe ato synime të përbashkëta janë – e vërteta dhe lufta kundër korrupsionit. Këtë e vë në dukje edhe Komisioni Evropian, i cili në raportin e fundit për vendin tonë, tregon se duhet një qasje edhe më sistematike ndaj gjetjeve të raporteve të auditimit, para së gjithash nga institucionet qeveritare që duhet të eliminojnë dobësitë, por edhe nga autoritetet hetimore lidhur me procedurat kundër abuzimeve të mundshme. Jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë ta ndërtojmë atë qasje më sistematike dhe në atë drejtim është edhe kjo ngjarjet”, tha Joveski.

Prokuroria Publike dhe Revizioni i Shtetit finalizojnë së bashku udhëzimet e brendshme të veçanta të dy institucioneve që rregullojnë trajtimin dhe koordinimin e ndërsjellë.

“Duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ofruar raporte auditimi edhe më cilësore mbi bazën e të cilave mund të veprojnë prokurorët publik, ndërsa prokurorët duhet të fitojnë njohuri për mënyrën e përgatitjes dhe përmbajtjen e raporteve të auditimit në mënyrë që të jenë më shumë efikas në punën e tyre”, tha kryerevizori shtetëror Maksim Acevski.

Prokurori publik themelor i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Gavril Bubevski, e prezantoi procedurën e prokurorive publike pas raporteve të auditimit dhe vlerën provuese të të gjeturave nga auditimet. Ai iu referua karakteristikave të veprave penale më të zakonshme që mund të dalin nga raportet e auditimit, si dhe efektit të ndryshimeve në Kodin Penal në ndjekjen penale të këtyre veprave.

Asistentet e kryerevizores shtetërore Sonja Kambovska dhe Rosica Shaleviq Hristovska patën prezantime për situatat më të shpeshta të konstatuara në raportet e auditimit dhe për strukturën e raporteve të auditimit.

Kjo punëtori është pjesë e aktiviteteve që vijojnë mes dy institucioneve në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe sigurimit të përdorimit të ligjshëm të fondeve të taksapaguesve.

Kujtojmë se për sa i përket kontrollit të brendshëm, i cili vlerësohet pjesërisht i harmonizuar , vihet re se edhe pse korniza ligjore ekzistuese vlerësohet si adekuate, në këtë fushë pritet një ligj i ri. Megjithatë, duket se problemi kryesor nuk është ligji. Si probleme më domethënëse që po zgjasin prej vitesh, veçojmë nevojën për të përforcuar përgjegjësinë e menaxhimit dhe për të inkurajuar delegimin e përgjegjësive. Pastaj, i rëndësishëm është edhe rekomandimi për zgjidhjen e problemit të fragmentizimit të strukturave në sektorin publik, përmes reduktimit të numrit të madh të përfituesve të drejtpërdrejtë të buxhetit. Krahas kësaj, është konstatuar edhe fragmentarizimi i njësive të kontrollit financiar, për të cilat KE rekomandon që të racionalizohen. Ka edhe një rekomandim për përforcimin e kapaciteteve në të gjitha pjesët e sistemit. Shqetësues është vlerësimi për bashkëpunim të pamjaftueshëm dhe mungesës së koordinimit ndërmjet organeve të kontrollit të brendshëm (njësive të kontrollit të brendshëm dhe inspeksioni financiar), Entit Shtetëror të Revizionit dhe organeve kundër korrupsionit.

Përsa i përket revizionit të jashtëm, sugjerohet shprehimisht përfshirja e Entit Shtetëror të Revizionit në Kushtetutë. Rekomandohet fuqizimi i kapaciteteve të këtij institucioni dhe përmirësimi i cilësisë. Fokusi kryesor është vënë tek ndikimi i revizionit të jashtëm, me rekomandime konkrete për përforcimin e mbikëqyrjes parlamentare (përfshirë këtu edhe raportet financiare individuale), për transparencë dhe llogaridhënie të përgjithshme për menaxhimin e financave publike, por edhe për përforcimin e bashkëpunimit me institucionet për luftë kundër korrupsionin dhe organe e përndjekjes.