Në Maqedoninë e Veriut u miratua Strategjia për specializim të mençur për periudhën 2023-2027

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 207-të ka miratuar Strategjinë për specializim të mençur për periudhën 2023-2027 me Planin Aksionar për vitin 2024-2025, transmeton Portalb.mk.

Ky ndryshim është propozuar nga Ministria për Arsim dhe Shkencë, si rezultat i procesit të skriningut të realizuar në Bruksel në kuadër të eurointegrimeve.

“Zbatimi i konceptit për specializim të mençur në nxitjen e zhvillimit ekonomik, është me qëllim harmonizimin me rregullativën evropian dhe praktikat në pjesën e shkencave dhe hulumtimeve edhe për politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë, si epilog edhe i skriningut të procesit në BE”, sqaroi Qeveria.

Ministria për Arsim dhe Shkencë, Ministria për Ekonomi, së bashku me disa agjenci tjera shtetërore do të ndjekin realizimin e Strategjisë për specializim të mençur, në përputhje me Planin Aksionar. MASH-i çdo vjet duhet ta informon Qeverinë në lidhje me realizimin e Strategjisë dhe Planit.

Përmes kësaj Strategjie planifikohet nxitja e krijimit të produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, ekologjike, të qëndrueshme dhe konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar.

Ndryshe, më 7 dhjetor, Sekretariati për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se në kuadër të procesit eurointegrues, ka mbaruar procesi i skriningut në Bruksel për Maqedoninë e Veriut.

Skriningu është proces që Maqedonia e kalon me synim për t’ua anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.