Mbaroi procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut

Sekretariati për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se në kuadër të procesit eurointegrues, ka mbaruar procesi i skriningut në Bruksel për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut me sukses përfundoi skriningun me Komisionin Evropian. Sot në agjendë në Bruksel u mbajt skriningu bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”, njoftoi Sekretariati.

Sekretariati theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

“Gjatë skriningut pamë se si shtet kemi nivel të mirë të harmonizimit të legjislacionit, por sfidë mbetet zbatimi. Për të arritur kriteret e BE-së duhet të punohet në mënyrë intensive në periudhën e ardhshme, gjatë hapjes së klasterave, mbylljes së kapitujve, reformimit dhe zhvillimit të vendit tonë, deri në anëtarësimin e plotë në Union në vitin 2030”, tha zëvendëskryenegociatorja Drita Abdiu Halili.

Ndryshe, procesi i skriningut filloi më 15 shtator 2022 dhe vazhdoi me sukses dhe sipas dinamikës së përcaktuar. Deri më tani janë zhvilluar takime shpjeguese dhe dypalëshe, për 33 kapituj të ndryshëm të ndarë në 3 sfera.

Gjatë kësaj periudhe prej 15 muajsh dhe gati 100 ditësh pune në Bruksel janë mbajtur 850 prezantime dhe në proces kanë marrë pjesë 206 institucione të ndryshme dhe rreth 1000 pjesëmarrës. Suksesi dhe afati kohor i procesit konfirmohet nga raporti i Komisionit Evropian, i cili theksoi se kemi një nivel solid të harmonizimit. Komisioni ka prezantuar mbi 4500 akte, masa, rregullore dhe direktiva.

Pas përfundimit të procesit të skriningut, vijojnë udhërrëfyesit, të cilat janë detyrimi ynë që buron nga Korniza Negociatore, të cilat nga ana e tyre janë kusht për hapjen e klasterit të parë. Këto janë udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, për reformën e administratës publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe Plani i Veprimit për mbrojtjen e pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.

Skriningu është proces që Maqedonia e kalon me synim për t’ua anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.