Në “Bechtel-Enka” arritën vetëm 360 aplikime për 2.000 vende pune, ndërsa nevoja do të rritet në 8.000 punëtorë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot, me rastin e fillimit zyrtar të aktiviteteve ndërtimore në pjesën Prilep – Manastir në kuadër të Korridorit 10d, vlerësoi se numri i qytetarëve të Maqedonisë që deri më tani kanë aplikuar për punësim në konsorciumin “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e korridoreve rrugore në vend është i vogël, transmeton Portalb.mk.

“Bechtel dhe Enka aktualisht janë duke shqyrtuar 360 aplikime nga qytetarë të Maqedonisë nga të gjitha profilet e ndryshme. Dhe kjo është pak, sepse aktualisht konsorciumi ka nevojë për 2000 punëtorë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se panairet e punësimit duhet të jenë nxitje për të gjithë qytetarët tanë, pavarësisht moshës, të gjithë ata që janë të aftë për punë dhe që duan të punojnë në këtë projekt të madh dhe në një nga kompanitë më të njohura botërore “Bechtel” dhe partnerin e tyre “Enka”. Deri më tani panairet e punësimit janë mbajtur në Tetovë, Gostivar dhe Manastir.

“Panaire të tilla do të organizohen edhe në qytete të tjera të vendit që të mbushen me punëtorët tanë nga Maqedonia, siç thuhet në kontratë”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se gjatë vazhdimit të ndërtimit të pjesëve të autostradës, nevoja për punëtorë do të rritet në 8 mijë punëtorë në trasetë rrugore në të cilat janë duke punuar “Bechtel dhe Enka”.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir. Ndërkaq më 1 qershor në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.