Opozita shqiptare dorëzoi interpelancë për punën e kryeprokurorit Lubomir Jovevski: Ka fshehur fakte për spitalin modular

Një grup deputetësh të partive Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, sot kanë dorëzuar interpelancë për punën e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski. Interpelanca ka për qëllim të ngrejë debat për pretendimet se Prokuroria ka fshehur fakte për tëmbrojur disa politikanë të përfshirë në ndërtimin e spitaleve modulare, transmeton Portalb.mk. 

“Ndonëse Lubomir Joveski meriton më shumë interpelanca dhe thirrje në përgjegjësi, sepse nuk është kurrfarë lajmi të themi se Prokuroria Publike është bërë njëra nga ministritë e kësaj qeverie, megjithatë arsyeja themelore e kësaj interpelance është kulminacioni i punës së tij jokonsistente, jontrasnparente, kontraverse dhe humbja besimit publik ndaj institucionit të Prokurorisë Publike që ndodhi gjatë rastit gjyqësor në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur tragjikisht 14 persona. Ne konsiderojmë se roli i Prokurorit Publik, Ljubomir Joveski, në këtë rast është bërë temë e dyshimeve dhe kjo kërkon përgjegjësi dhe shpjegim publik”, thonë partitë opozitare.

Kjo interpelancë ka për qëllim t’i ngrejë në debat publik parlamentar për pretendimet e rënda se Prokuroria Publike ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës për të mbrojtur kështu disa politikanë dhe pjesëtarë të elitave të biznesit, që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e spitaleve modulare që ishin lënda e kësaj tragjedie, thonë tre partitë.

“Prandaj në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rregullores së Kuvendit të RMV-së, ne sot në Arkivin e Kuvendit e kemi dorëzuar interpelancën dhe presim nga kryetari i Kuvendit që ta procesojë atë. Për informacion të opinionit, ndërsa për t’ia rikujtuar edhe Kryetarit të Kuvendit, në bazë të Rregullores së Kuvendit të RMV-së, më saktë nenit 47 të saj, Kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend dite në seancën e parë të ardhshme plenare”, thonë partitë.

Ata presin që Kryetari i Kuvendit do ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është të ballafaqohen me argumente me kryeprokurorin Lubomir Joveski se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar spitalin modular, nga realizuesi i furnizimit publik, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane dhe pse është përjashtuar prokurori që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë.

“Kërkesa jonë është që Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, të paraqitet në Kuvendin e popullit dhe ta sqarojë rolin e tij në këtë rast, duke i marrë parasysh edhe të gjitha akuzat e deklaruara në opinion në lidhje me punën e tij”, thonë deputetët e këtyre partive”, thonë deputetët.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.