Tabela pa gjuhën shqipe në Parkun e Butelit ende pa epilog: Inspektorati në pritje të Qytetit të Shkupit, AKI-ja paralajmëroi veprime

Çështja e tabelës në Mega Parkun e Butelit vazhdon të mbetet pa epilog. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ende nuk ka arritur të bëjë inspektim në Qytetin e Shkupit lidhur me këtë rast, ndërsa këshilltarët e opozitës shqiptare paralajmërojnë se do të ndërmarrin hapa konkretë në ditët në vijim, shkruan Portalb.mk.

Nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve deklaruan për Portalb.mk se ndonëse inspektimet e jashtëzakonshme kryhen pa paralajmërim, ata kanë dërguar njoftim për inspektim deri te Qyteti i Shkupit dhe janë në pritje të përgjigjes nga ky institucion, në mënyrë që të vazhdojnë procedurat në ditët në vazhdim.

Portalb.mk pyeti Qytetin e Shkupit se përse nuk lejohet Inspektorati të kryejë inspektimin, si dhe nëse planifikojnë ta korrigjojë tabelën duke vendosur edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe. Megjithatë, nga atje nuk u përgjigjën.

Nga ana tjetër, këshilltari i AKI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Daim Luçi, paralajmëroi se nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe se në ditët në vijim do të ndërmarrin veprime lidhur me këtë çështje.

“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Në ditët në vijim besoj se do t’i japim epilog kësaj pune, në format që mendojmë ne se si duhet”, deklaroi Luçi për Portalb.mk.

Ndërkohë, Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve dje bëri të ditur se ka nisur procedurë pas mungesës së gjuhës shqipe në tabelën informuese në Mega Parkun e Butelit. Nga atje po ashtu rikujtuan se tabela në Mega Parkun në Butel duhet të harmonizohet me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Ditë më parë, këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit lëshuan seancën e Këshillit në shenjë proteste, pasi nuk u miratua propozimi që në tabelën informuese të Mega Parkut të vendoset edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe. Propozimi u bë me iniciativë të këshilltarëve të AKI-së dhe me mbështetjen e këshilltarëve të VLEN-it. Tetë këshilltarët shqiptarë votuan pro, ndërsa 11 këshilltarët e tjerë abstenuan.

Për mungesën e shqipes në tabelën informuese të Mega Parkut të ri në Butel kishte raportuar më herët Portalb.mk. Parku u promovua nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit.

Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk lidhur me mungesën e gjuhës shqipe në tabelë, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” thanë se vendosja e tabelave nuk është në kompetencën e tyre.

Pas raportimit të Portalb.mk, reaguan edhe këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit, të cilët shprehën pakënaqësi për mungesën e gjuhës shqipe në tabelë.

Kujtojmë se sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë rezidente. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj janë në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase.

Ky nuk është rasti i parë i mosrespektimit të gjuhës shqipe. Edhe më herët janë evidentuar raste të ngjashme, ndërsa institucionet janë arsyetuar se bëhet fjalë për lëshime teknike që do të korrigjohen.