RMV, as Gjykata Supreme nuk është konsultuar për ndryshimet në Kodin Penal

Gjykatës Supreme nuk iu kërkua fare mendim në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal që autoritetet miratuan pas një procedure të shkurtuar, të cilat ulin ose fshijnë dënimet për zyrtarët, për shpërdorim të detyrës zyrtare, punë të pakujdesshme në shërbim dhe shoqërim kriminal, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Drejtësisë nuk i ka paraqitur ndryshimet në fjalë në Kodin Penal për mendim. Kjo e bëri të pamundur që Gjykata e Lartë të japë mendim për ndryshimet ligjore të miratuara, të cilat paraqesin një çështje me interes të lartë publik”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Në seancën e sotme u theksua se përgatitja e amendamenteve ligjore që kanë ndikim në proceset gjyqësore duhet të bëhet përmes një procesi transparent përmes debatit publik dhe diskutimit të ekspertëve.

“Gjithçka tjetër është kundër angazhimit për të reformuar legjislacionin në përputhje me standardet evropiane. Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithmonë ka mbështetur zgjidhjet ligjore që kontribuojnë në luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit, dhe në bazë të këtyre angazhimeve në të kaluarën, nuk ka pasur kundërshtime për masën e dënimeve për krimet në fjalë dhe as a ka propozuar zbutjen e tyre”, u konkludua në seancën e sotme.

Parapraisht edhe Komisioni Kundër Korrupsionit deklaroi se nuk kanë qenë në dijeni për miratimin e ndryshimeve ligjore.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.