Mucunski: Me Kostën, do ta diskutojmë patjetër mosmarrëveshjen me Bullgarinë, këmbëngulim në garanci

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, thotë se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj qëndrimit të saj për garanci se nuk do të ketë më kërkesa që lidhen me historinë, identitetin dhe kulturën e popullit maqedonas nga Bullgaria në procesin e negociatave të pranimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kësaj i shtohet edhe këmbëngulja e palës maqedonase ndaj Sofjes për të zbatuar vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg në lidhje me pakicën maqedonase në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Mucunski e tha këtë sot duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në lidhje me pritjet që qeveria ka nga vizita e nesërme në vend e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, i cili sot filloi turneun e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe i cili vjen përpara Samitit të vendeve nga ky rajon që do të mbahet në Tivat të Malit të Zi, në fund të javës.

Mosmarrëveshja me Bullgarinë, siç deklaroi ministri, sigurisht që do të jetë një nga temat e diskutimit me Presidentin e Këshillit Evropian, i cili, sipas Mucunskit, deri më tani ka qenë faktor proaktiv dhe ka bërë disa përpjekje për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje.

I pyetur nëse do të ketë ndonjë dokument non-paper në tryezë, kreu i diplomacisë tha se aktualisht po diskutohen ide që duhet të çojnë në një zgjidhje dinjitoze, gjë që, siç tha ai, nuk ishte rasti kur vendimet për këtë çështje u morën nga qeveria e mëparshme.

“Ju e dini shumë mirë dhe ne e kemi diskutuar këtë disa herë, se idetë nëse i paraqesim publikisht, nuk do të kenë menjëherë efekt. Kemi një diskutim që ka vazhduar që nga momenti kur u formua kjo qeveri. Jemi të vetëdijshëm se ekziston një fjalë për të cilën duhet të ketë zgjidhje dinjitoze. Dallimi midis nesh dhe paraardhësve tanë është se ne e vendosim fjalën ‘dinjitet’ para fjalës ‘zgjidhje’, jo një zgjidhje me çdo kusht, dhe në këtë kuptim ndahen më shumë ide, nuk ka dokument nonpaper, ka ide, ato ndahen me përfaqësues të Bashkimit Evropian, me përfaqësues të shteteve anëtare, por të gjitha idetë janë brenda kornizës së atyre pritjeve parimore që kemi si shtet”, tha Mucunski.

Pritja kryesore e Qeverisë në Shkup, tha Ministri i Jashtëm, është të vendosë garanci të qarta institucionale se kjo do të jetë pengesa e fundit me natyrë dypalëshe për Maqedoninë, dhe çështja e dytë që po diskutohet është moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nga Bullgaria fqinje, të cilat lidhen me të drejtat e pakicave në, siç tha ai, një vend që është shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje shtesë nëse pala bullgare është gjithashtu e njohur me qëndrimet tona, Mucunski tha se ai “i shpjegoi mjaft qartë qëndrimet maqedonase homologes së tij bullgare Velislava Petrova-Çamova, gjatë takimit të tyre të parë rreth dhjetë ditë më parë në Helsingborg të Suedisë”.

“Idetë janë pjesë e qëndrimeve. Thashë që nëse Bullgaria ka pritje nga ne, sigurisht që edhe ne kemi pritje nga Bullgaria, sepse siç e kemi thënë shumë herë – kjo nuk është një rrugë me një kah. Meqenëse e dëgjova kolegen time të fliste për kërkimin e një zgjidhjeje, ne jemi ata që kërkojmë një zgjidhje, ne jemi ata që jemi proaktivë, por në të njëjtën kohë duhet të ketë ndërgjegjësim në Sofje për përgjegjësinë ndaj sigurisë rajonale, ndaj stabilitetit rajonal”, tha Mucunski.

Duke vazhduar përgjigjen e tij, ai e vlerësoi sjelljen e Sofjes ndaj kësaj çështjeje si të papërgjegjshme.

“Qëndrimi i Sofjes ndaj kësaj çështjeje në këtë moment është një qëndrim i papërgjegjshëm dhe i pakujdesshëm. Do ta përsëris, ne jemi shtete anëtare të NATO-s dhe jemi partnerë në Aleancë, është vërtet e pashembullt në këtë kohë që partnerët në Aleancë të vendosin lloje të tilla pengesash ndaj njëri-tjetrit. I bëj thirrje Sofjes të shikojë pak veten, të jetë më përgjegjëse ndaj proceseve rajonale, të cilat janë gjithashtu gjeopolitikisht të rëndësishme”, tha Mucunski.

I pyetur më drejtpërdrejt nëse vendi do të bënte ndryshime kushtetuese nëse do të merrte garancitë që kërkon, Mucunski përsëriti qëndrimin e Qeverisë, duke deklaruar se kjo është paketa për të cilën këmbëngul pala maqedonase.

“Përfundimet e Këshillit se nuk do të ketë më kërkesa që lidhen me historinë, identitetin, gjuhën dhe kulturën për këtë vend, për ne, janë pjesë e asaj pakete garancish, dhe përveç kësaj, ne e lidhim çështjen e pritjeve të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga Bullgaria fqinje. Ne e kemi shprehur qartë qëndrimin tonë se nëse vendi merr garanci institucionale nga Këshilli, dhe më pas Bullgaria zbaton në mënyrë reciproke vendimet që duhet të zbatojë, atëherë ne jemi padyshim në një pozicion ku është ndërtuar besimi i ndërsjellë”, tha ministri i Jashtëm.

Zyrtarët e BE-së paralajmëruan se udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do t’u kërkojnë vendeve të rajonit të shfrytëzojnë momentumin pozitiv për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, gjë që u konfirmua me fillimin e përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit BE-Mali i Zi.

Udhëheqësit evropianë, sipas njoftimeve, do t’u theksojnë udhëheqësve të rajonit rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme, përfshirë politikën e sanksioneve.

Vendeve të rajonit do t’u kërkohet të përmirësojnë sundimin e ligjit dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me fqinjët e tyre.

Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.

Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.

Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.