Qeveria e Maqedonisë së Veriut në tentativë për t’i legalizuar prokurimet në katër sy
Propozim-ndryshimet e Ligjit për Prokurime Publike në Maqedoninë e Veriut në shikim të parë sjellin korrigjime teknike, pragje më të larta të vlerave dhe më shumë digjitalizim. Por, pas këtyre ndryshimeve fshihen disa ndryshime qenësore në mënyrën se si shteti do mund të shpenzojë para publike, dyfishohet hapësira për prokurime pa tender, hiqet një nga kontrollet paraprake te kontratat me negociim pa shpallje, ndërsa në të njëjtën kohë shtrenjtohet ndjeshëm procedura e ankimimit, shkruan Racin.mk, transmeton Portalb.mk.
Pikërisht kombinimi i këtyre masave është arsyeja se pse Qendra për Komunikime Civile (QKC) kërkon që ndryshimet të mos miratohen pa debat më të gjerë publik dhe kërkoi kontroll nga KSHPK – ja. Sipas përllogaritjeve të organizatës, shuma potenciale që institucionet do mund ta shpenzojnë nën pragjet e vlerave do të rritej nga rreth 18 në 37,5 milionë euro në vit.
Por, është e rëndësishme që menjëherë të bëhet një dallim juridik. Të ashtuquajturat kontrata “në katër sy” nuk janë të ndaluara as sot. Ligji edhe tani lejon procedurë me negociim pa publikuar paraprakisht shpallje, por vetëm në situata të jashtëzakonshme të definuarauara rreptësisht. Ajo që Qeveria e propozon tani nuk është krijimi i kësaj procedure nga e para, por heqja e një prej kontrolleve paraprake më të rëndësishme për përdorimin e saj.
Dy herë më shumë para pa tender klasik
Ndryshimi i parë i madh janë pragjet e vlerave. Sipas propozimit të dorëzuar në Kuvend, për mallra dhe shërbime pragu nën të cilin nuk zbatohet procedura e plotë e tenderimit rritet nga 1.000 në 2.000 euro, ndërsa te punët ndërtimore nga 5.000 në 10.000 euro.
Edhe më i rëndësishëm është kufiri vjetor. Në vend të 12.000 eurove të deritanishme, secili organ kontraktues do të mund të realizojë deri në 25.000 euro prokurime të këtilla brenda një viti.
Në praktikë kjo do të thotë se ministritë, komunat, ndërmarrjet publike, shkollat, institucionet shëndetësore dhe institucionet e tjera do të kenë hapësirë financiare dy herë më të madhe për prokurime më të vogla pa procedurë të rregullt konkurruese të tenderimit.
Kjo nuk do të thotë se këto prokurime domosdoshmërisht bëhen të fshehta. Sistemi i tanishëm parasheh evidencë tremujore për prokurimet nën pragjet ligjore, e cila regjistrohet në SEPP. Por dallimi qenësor është se ato nuk e kanë të njëjtën shkallë të konkurrencës paraprake, afateve, mekanizmave për ankimim dhe kontrollit procedural si tenderët e rregullt.
Nga Qendra për Komunikime Civile vlerësojnë se me pragjet e reja vëllimi potencial vjetor i shpenzimeve të këtilla do të arrijë rreth 37,5 milionë euro. Siç theksojnë nga organizata në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë disa “shërbime të posaçme”, siç janë shërbimet hotelierike.
Ndryshimi kyç është te kontratat “në katër sy“
Edhe më e ndjeshme është ndërhyrja në nenin 55 të Ligjit. Ligji i tanishëm lejon negociim pa publikim të shpalljes, ndër të tjera, kur për arsye teknike nuk ka konkurrencë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave ekskluzive, për performancë artistike unike ose kur ekziston urgjencë extreme e shkaktuar nga një ngjarje që institucioni nuk ka mundur ta parashikojë.
Por, institucioni nuk mundet thjesht të deklarojë vetë se ato kushte ekzistojnë dhe menjëherë ta zgjedhë furnizuesin.
Në disa nga rastet më të ndjeshme, para se të fillojë negociimi, duhet marrë mendim nga Byroja për Prokurime Publike se vërtet janë plotësuar kushtet ligjore.
Pikërisht këtë detyrim Qeveria propozon që ta shfuqizojë. Në vend të mendimit paraprak nga Byroja institucioni do të publikonte “njoftim për transparencë paraprake vullnetare”.
Në letër që të dyja zgjidhjet duken si kontroll. Por, në kuptimin juridik bëhet fjalë për dy mekanizma shumë të ndryshëm.
Nga verifikimi para prokurimit drejt njoftimit për synimin tashmë të marrë
Mendimi paraprak nga Byroja është verifikim institucional. Organi kontraktues dorëzon arsyetim dhe dokumente, ndërsa Byroja verifikon nëse vërtet ekzistojnë kushtet ligjore që lejojnë shmangien e shpalljes publike.
Njoftimi për transparencë paraprake vullnetare funksionon ndryshe. Në të drejtën evropiane njoftimi i tillë përmban përshkrim të kontratës, arsyetim se pse organi kontraktues konsideron se mund të ndajë kontratë pa shpallje paraprake dhe të dhëna për operatorin ekonomik të cilit ka ndërmend t’ia ndajë kontratën. Funksioni i tij është që publiku dhe konkurrentët potencialë të njoftohen para nënshkrimit dhe të fitojnë mundësi për reagim juridik.
Me fjalë të tjera, njoftimi e rrit transparencën e synimit, por nuk përfaqëson të njëjtin lloj të verifikimit paraprak të pavarur. Në njërin model para kontratës institucioni duhet të bindë një organ tjetër shtetëror se i plotëson kushtet.
Në tjetrin institucioni arsyeton vetë se pse konsideron se i plotëson kushtet, e publikon këtë dhe rreziku nga kontestimi kalon tek ofertuesit dhe palët e tjera të interesuara. Pikërisht këtu qëndron ndryshimi qenësor.

Byroja vërtet ka refuzuar kërkesa
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se mendimi paraprak nuk ka qenë thjesht vulë administrative. Për procedurat në të cilat institucionet kanë pretenduar se ekziston vetëm një operator ekonomik i mundshëm, arsye teknike, e drejtë ekskluzive apo performancë artistike unike, Byroja ka pranuar 229 kërkesa. Pozitivisht u është përgjigjur 220 kërkesave, ndërsa për nëntë prej tyre ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet.
Te prokurimet e arsyetuara me urgjencë extreme ka pasur 46 kërkesa, 40 kanë marrë mendim pozitiv, ndërsa gjashtë negativ. Krahas kësaj janë tërhequr 20 kërkesa.
Kjo do të thotë se vetëm në vitin 2025 kanë ekzistuar të paktën 15 raste në të cilat Byroja formalisht nuk ka pranuar se janë plotësuar kushtet për negociim direkt pa shpallje. Shifra nuk është e madhe, por tregon se mekanizmi ka funksion real kontrollues.
Edhe më e rëndësishme është se vetë Byroja në planin e saj vjetor të punës e rëndit këtë funksion në qëllimin strategjik “lufta kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave”, përkatësisht si një mekanizëm për garantimin e zbatimit të drejtë të ligjit.
Kontratat në “katër sy“ në vitin 2025 ishin përjashtim, jo rregull
Shifrat zyrtare tregojnë se procedurat pa shpallje aktualisht përfaqësojnë një pjesë të vogël të tregut të përgjithshëm të prokurimeve publike.
Në vitin 2025 janë lidhur 188 kontrata me negociim pa publikim paraprak të shpalljes në vlerë prej 438,2 milionë denarësh. Kjo është rreth 0,5 përqind e vlerës së përgjithshme të prokurimeve publike dhe 0,77 përqind e numrit të procedurave.
Sa për krahasim, vlera e tyre në vitin 2024 ishte 1,31 miliardë denarë, ndërsa në vitin 2023 rreth 1,44 miliardë denarë. Në raportin e saj Byroja konstaton “ulje të ndjeshme” të vlerës së kontratave të lidhura në këtë mënyrë.
Në vitin 2025 44 përqind e vlerës së kontratave të tilla bazohej në faktin se prokurimi mund të kryhej vetëm nga një operator i caktuar, ndërsa 34 përqind janë arsyetuar me urgjencë extreme. Rreth 20 përqind kanë pasuar pas dy procedurave paraprake të dështuara të tenderimit.
Kjo nuk dëshmon se mendimi paraprak i Byrosë është arsyeja e vetme për rënien e numrit të kontratave të tilla. Por tregon se sistemi i tanishëm ka arritur ta mbajë këtë procedurë brenda kornizës së përjashtimit, në vend që të bëhet mënyrë dominante për shpenzim.
Rregullat evropiane lejonë negociim direkt, por si përjashtim
Nga aspekti evropian vetë ekzistenca e procedurës pa shpallje nuk është kontestuese. Direktiva e BE-së për prokurimet publike e lejon atë kur ekzistojnë kushte rreptësisht të përcaktuara – urgjencë extreme dhe e paparashikueshme, mungesë objektive e konkurrencës, të drejta ekskluzive apo situata të tjera konkrete.
Por, direktiva evropiane është shumë e qartë për natyrën e procedurës së tillë.
Për shkak të ndikimit të dëmshëm ndaj konkurrencës, negociimi pa shpallje paraprake duhet të përdoret vetëm në “rrethana tejet përjashtuese”, ndërsa mungesa e konkurrencës nuk guxon të jetë e krijuar nga vetë organi kontraktues.
Prandaj, shfuqizimi i mendimit paraprak nga Byroja në Maqedoni nuk do të thotë automatikisht se ligji vihet në kundërshtim me të drejtën evropiane. Direktivat evropiane nuk u imponojnë të gjitha vendeve kontroll institucional identik.
Por, pyetja është nëse Maqedonia me rreziqet e saj nga korrupsioni dhe konkurrenca e kufizuar, ka arsye që ta heqë një mekanizëm kontrollues që ajo tashmë e ka?

Komisioni Evropian kërkon më shumë kontroll, e jo më pak
Këtu propozimi ndeshet me një kontekst tjetër të rëndësishëm. Në Raportin për Maqedoninë për vitin 2025 Komisioni Evropian e vlerësoi vendin si mesatarisht të përgatitur në fushën e prokurimit publik dhe kërkoi rritje të konkurrencës, përmirësim të monitorimit dhe kontrolleve, si dhe koordinim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
Komisioni, në mënyrë eksplicite, kërkon ndjekje më të mirë të parregullsive, konfliktit të interesit dhe mashtrimeve.
Edhe vetë Agjenda e Reformave e Maqedonisë e vendos si synim krijimin e një sistemi më konkurrues dhe më transparent të prokurimit publik dhe vlerë më të mirë për paratë publike.
Prandaj është e rëndësishme të ndahen dy gjëra që në arsyetimin e Qeverisë vihen nën të njëjtën ombrellë.
Ndryshimet vërtet përmbajnë masa që janë të lidhura drejtpërdrejt me reformat evropiane, tregun elektronik, digjitalizimin dhe kalimin nga çmimi më i ulët drejt raportit më të mirë çmim-cilësi.
Por, në raportin zyrtar të Byrosë tre detyrimet konkrete nga Agjenda e reformave për periudhën 2025-2027 thuhet qartë: e-ankandet të ulen në maksimum 40 përqind, përmes e-tregut të ndahen të paktën 800 kontrata deri në fund të vitit 2026 dhe për të paktën 25 përqind të vlerës së prokurimeve të përdoret kriteri çmim-cilësi ose i leverdisshmërisë.
Në atë listë nuk ka asnjë detyrim për dyfishimin e pragjeve për prokurimet që janë jashtë procedurës së plotë, e as për shfuqizimin e mendimit paraprak të Byrosë për negociimin pa shpallje.
Prandaj, thirrja në Agjendën e Reformave vetvetiu nuk shpjegon pse janë të nevojshme pikërisht këto dy ndryshime.
Qeveria ka edhe argument ekonomik
Argumentimi i Qeverisë nuk duhet të injorohet.
Sipas arsyetimit që e përcjell BIRN, pragjet më të larta propozohen për shkak të rritjes së shpenzimeve të jetesës dhe rritjes të çmimeve pas pandemisë dhe krizës energjetike. Me fjalë të tjera, pragjet prej 1.000 dhe 5.000 eurove sot kanë vlerë reale më të vogël se në kohën kur ato u vendosën.
Kjo është logjika që ekziston. Nëse pothuajse çdo riparim i vogël, blerje pajisjesh apo shërbim kërkon procedurë administrative që kushton kohë dhe para, sistemi mund të bëhet joefikas.
Por, pyetja e kontrollit nuk zhduket vetëm sepse inflacioni i ka rritur çmimet. Sidomos nëse kufiri vjetor për institucion njëkohësisht rritet nga 12.000 në 25.000 euro.
Ky tashmë është ndryshim që, nëse shfrytëzohet në maksimum nga një numër i madh institucionesh, krijon dhjetëra miliona euro shpenzime publike jashtë procedurës standarde konkurruese.

Ankimim më i shtrenjtë në momentin kur zhduket kontrolli paraprak
Edhe një pjesë tjetër e ndryshimeve e bën të gjithë paketën më të ndjeshme.
Pagesa për ankimim në prokurimet publike rritet nga 50 deri në 200 eurot e tanishme në 150 deri në 600 euro, varësisht nga vlera e procedurës. Qeveria argumenton se tarifat e deritanishme janë ndër më të ultat në rajon.
Rritja e taksës administrative jo domosdoshmërisht do të thotë kufizim i mbrojtjes juridike. Por, kur shihet së bashku me shfuqizimin e mendimit paraprak nga Byroja, atëherë ndryshon arkitektura e kontrollit.
Një pjesë e kontrollit zhvendoset nga verifikimi institucional para fillimit të prokurimit, drejt mundësisë që ndonjë operator ekonomik më vonë ta kontestojë vendimin. Dhe pikërisht ky mekanizëm i dytë bëhet më i kushtueshëm.
Nga QKQ paralajmërojnë se kjo mund t’i godasë më shumë kompanitë e vogla, për të cilat shpenzimet e ankimimit janë barrierë më e madhe sesa për operatorët e mëdhenj ekonomikë.
Edhe të dhënat publike mund të bëhen me çmim
Propozimi ngre edhe një çështje tjetër, qasjen në të dhëna. Propozohet që Byroja të mund të arkëtojë pagesë për përdorimin e ueb-shërbimeve dhe për marrjen e të dhënave publikisht të qasshme nga SEPP në format të përshtatshëm për përpunim kompjuterik.
Kjo është e rëndësishme sepse të dhënat e lexueshme nga makinat nuk përdoren vetëm nga kompanitë. Ato janë bazë për analiza të gazetarëve, organizatave joqeveritare, hulumtuesve dhe institucioneve që kërkojnë përqendrime të pazakonta të kontratave, fitues të njëjtë, çmime të larta, afate të shkurtra apo “flamuj të tjerë të kuq”.
Vetë shteti në dokumentet për Qeveri të Hapur publikimin e prokurimeve publike e trajton në format të lexueshëm nga makinat si mënyrë për fuqizimin e mbikëqyrjes së jashtme nga mediat dhe organizatat e shoqërisë civile dhe uljen e rreziqeve nga korrupsioni. Prandaj, vendosja e pagesës pikërisht për këtë lloj qasjeje ngre çështjen nëse po paguhet për shërbimin teknik apo praktikisht po vendoset një pengesë e re ndaj mbikëqyrjes sistematike publike.
Prokurimet publike nuk janë pjesë margjinale e buxhetit
E gjithë kjo është e rëndësishme për shkak të madhësisë së tregut. Në vitin 2025 në Maqedoni janë lidhur 34.320 kontrata për prokurime publike në vlerë prej 97,1 miliardë denarësh, ose më shumë se 1,6 miliardë euro.
Kjo është vlerë e barabartë me rreth 24 përqind të buxhetit të shtetit dhe 9 përqind të PBB-së. Prandaj edhe ndryshime relativisht të vogla në rregullat e kontrollit mund të kenë efekt të madh kur zbatohen mbi mijëra institucione dhe dhjetëra mijëra kontrata.
Krahas kësaj, OECD në vlerësimin më të fundit për Maqedoninë thekson se negociimi pa shpallje paraprake në vitin 2024 ka përfaqësuar rreth 2 përqind të procedurave, që në vitin 2022 është më pak se 7 përqind, por njëkohësisht paralajmëron për përparim jo të barabartë në konkurrencë dhe transparencë.

Problemi nuk është një ndryshim i vetëm, por efekti i të gjithave së bashku
Nëse shikohen veçmas, pothuajse për çdo ndryshim mund të gjendet arsyetim administrativ. Pragjet rriten sepse çmimet janë rritur. Mendimi nga Byroja zëvendësohet me njoftim për ta përshpejtuar procedurën dhe për ta përdorur mekanizmin evropian të transparencës paraprake. Ankimimet shtrenjtohen sepse pagesat e deritanishme kanë qenë të ulëta.
Për të dhënat e përpunueshme nga makinat vendoset tarifë sepse ueb-shërbimet gjenerojnë shpenzime.
Por, kur të gjitha ndryshimet vihen pranë njëra-tjetrës, rezultati është një sistem ndryshe: më shumë para mund të shpenzohen pa tender klasik, zhduket një verifikim i pavarur paraprak te procedura më jotransparente, reagimi juridik bëhet më i kushtueshëm, ndërsa qasja sistematike në të dhëna mund të bëhet me shpenzim shtesë.
Kjo nuk do të thotë se çdo prokurim i tillë do të jetë i paligjshëm apo korruptiv. As e drejta evropiane nuk e ndalon negociimin pa shpallje.
Por efekti objektiv i ndryshimeve të propozuara është zhvendosja e peshës nga kontrolli preventiv drejt transparencës dhe reagimit pasi institucioni tashmë të ketë vendosur se si dëshiron ta realizojë prokurimin.
Pikërisht për këtë arsye mungesa e debatit më të gjerë publik bëhet edhe më e rëndësishme. Sipas BIRN, QKQ pretendon se ndryshimet janë përgatitur pa konsultime publike dhe tashmë ka kërkuar nga Kuvendi që ta shtyjë debatin, ndërsa KSHPK ka konfirmuar se e ka pranuar kërkesën për kontroll antikorrupsion dhe duhet të vendosë nëse do ta zbatojë atë.
Në fund çështja kryesore nuk është nëse institucionet duhet të blejnë më shpejt material për zyrat apo ta riparojnë çatinë prej 8.000 eurosh.
Çështja është se sa kontroll është i gatshëm shteti të sakrifikojë në emër të shpejtësisë.
Mbi të gjitha kur vetë Komisioni Evropian, Agjenda e Reformave dhe dokumentet strategjike të Maqedonisë e vendosin drejtimin në anën e kundërt – më shumë konkurrencë, mbikëqyrje më të fuqishme dhe transparencë më të madhe gjatë shpenzimit të parave publike.