Von der Leyen në rajon: A mund të sjellë vizita shtysë për zhbllokimin e negociatave të RMV-së me BE-në?
Vizita e paralajmëruar e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në rajon shihet si një mundësi për të përcjellë mesazhe të reja për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por mbetet e paqartë nëse ajo mund të sjellë edhe një hap konkret drejt zhbllokimit të negociatave me Bashkimin Evropian, vlerësojnë për Portalb.mk, njohës të rrethanave politike në vend.
Analisti Selim Ibraimi thotë se vizita dëshmon interesimin e vazhdueshëm të BE-së për rajonin dhe për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas tij, vazhdon të përballet me pengesa të jashtme, por edhe me probleme të krijuara brenda vendit.
“Vizita e saj nënkupton interesimin e përhershëm të BE-së ndaj rajonit, e njëkohësisht për rrugën e nisur të Maqedonisë së Veriut drejt Unionit, e cila nuk po kalon pa pengesa. Disa janë të jashtme e disa pengesa po i krijojnë vetë autoritetet qeveritare në Shkup”, shprehet Ibraimi.
Sipas tij, ardhja e von der Leyenit mund të shërbejë edhe si përsëritje e kërkesave që Brukseli prej kohësh ia adreson Shkupit, ndërsa njëkohësisht, sipas tij, konfirmon se zgjerimi i BE-së me vende të reja mbetet në agjendën e Unionit.
“Vizita mund të shfrytëzohet si ripërsëritje e kërkesave të vjetra të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut”, thotë Ibraimi.

Megjithatë, ai nuk pret që vetë vizita të jetë domosdoshmërisht garanci për një zhbllokim të menjëhershëm të negociatave. Sipas tij, vizita duhet parë më shumë në kuadër të përpjekjeve të BE-së për ta mbajtur rajonin të lidhur me Unionin, përmes kërkesave politike, por edhe përmes mbështetjes financiare.
“Të gjitha propozimet mund të bëhen realitet, po kjo vizitë më shumë duhet të shihet si një turne për të mbajtur rajonin tonë afër BE-së me kërkesa të njëjta dhe premtime dhe hapa konkretë financiarë që nuk kanë munguar nga BE. Disa gjëra duhet t’i zgjedhim vetë e të mos presim nga BE-ja”, vlerëson Ibraimi.
Në këtë pikë, ai e sheh si vendimtare çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, Maqedonia e Veriut duhet ta përmbushë këtë detyrim nëse dëshiron të avancojë në procesin negociator.
“Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Kjo është kërkesa e BE-së, por që nuk po dëshmohet mirë në Shkup”, thotë Ibraimi.
Ai shton se Brukseli mund të lehtësojë nismat që synojnë tejkalimin e pengesës, por paralajmërimet e vazhdueshme evropiane, sipas tij, po hasin në mungesë të gatishmërisë politike në Shkup.
“Thirrjet e përsëritura të BE-së për ndryshime kushtetuese, dita-ditës po injorohen nga qeveria aktuale. Andaj loja me BE-në do të vazhdojë, pavarësisht vizitave të huaja. Nuk ka vullnet politik që problemet të tejkalohen”, shprehet ai.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Mersel Bilalli e sheh vizitën e von der Leyenit në një kontekst më të gjerë gjeopolitik dhe të sigurisë rajonale. Sipas tij, zvarritja e procesit negociator për Maqedoninë e Veriut është një çështje për të cilën BE-ja ka arsye të jetë e shqetësuar.
“E pritshme është, shkaku i gjeopolitikës dhe sigurisë rajonale në këtë pjesë të Evropës, BE të jetë e brengosur për zvarritjen e procesit negociator për RMV-në”, thotë Bilalli.
Ai argumenton se kompromiset e arritura në kuadër të marrëveshjeve dhe propozimeve të mëhershme kanë krijuar një kornizë që mundëson vazhdimin e procesit, por edhe sipas Bilallit, në Shkup mungon gatishmëria për ta shfrytëzuar atë.
“Lëshimet e palës bullgare nga marrëveshja apo siç e quajmë propozimi francez janë respektibile, por ndeshen me vesh të shurdhër”, shprehet Bilalli.
Sipas tij, mbetet e hapur pyetja se cilat janë arsyet politike që e mbajnë vendin jashtë hapit të radhës në negociatat me BE-në. Bilalli përmend si hipoteza edhe interesat e mundshme të lobimeve të biznesit dhe ruajtjen e mekanizmave të caktuar të pushtetit, por thekson se këto mbeten çështje që nuk mund të trajtohen si fakte të vërtetuara.

Bilalli e lidh situatën aktuale edhe me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet maqedono-bullgare. Ai përmend rastin e shoqatës maqedonase “Omo Ilinden” në Bullgari dhe zhvillimet rreth regjistrimit të saj, duke e parë këtë si një zhvillim që mund të ndikojë në klimën politike rreth çështjeve që lidhen me dy vendet.
Në pritje të vizitës së von der Leyenit, Bilalli ngre edhe çështjen e rolit të përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e Maqedonisë së Veriut.
“Brengos fakti që pala shqiptare në Maqedoninë e Veriut sikur ka veshë, por s’ka gojë. Ata nuk janë atje që të heshtin, por për t’i zgjidhur problemet dhe për t’i eliminuar pengesat. Personalisht nuk pres shumë nga ky kod mendor të cilë cak të vetmin kanë të jenë pjesë e qeverisë dhe kënaqin veten, kurse sa u përket interesave të popullatë, ata rrezonojnë me logjikën – “Si ta kemi ne të pushtetit mirë, e gjithë popullata e ka mirë”. Por, kjo lehtë shembet”, thotë ai.
Ai shpreh pritshmëri të kufizuara nga vizita, duke theksuar se tashmë mbetet të shihet se çfarë mesazhesh do të përcjellë von der Leyen gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut dhe si do të reagojë pushteti ndaj tyre.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian pritet të zhvillohet në javët e ardhshme. Euroambasadori Mihalis Rokas ka deklaruar se ajo mund të realizohet brenda dy deri në tri javë dhe ka shprehur shpresën se vizita do të jetë “një hap vendimtar” drejt fillimit të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
“Shpresoj se së shpejti do të kemi një vizitë rajonale nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Leyen. Ajo duhet të realizohet për dy deri në tre javë, kështu që shpresoj se vizita e saj do të jetë edhe një hap vendimtar drejt fillimit të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian”, deklaroi Rokas.
Rokas ka thënë se gjatë periudhës së kaluar janë bërë përpjekje të konsiderueshme për krijimin e kushteve për një hap të tillë, ndërsa nuk ka konfirmuar publikisht nëse ekziston ndonjë propozim për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me zbatim të shtyrë.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese mbetet pengesa kryesore politike për kalimin në fazën e ardhshme të procesit negociator. Maqedonia e Veriut e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, ndërsa në korrik të vitit 2022, së bashku me Shqipërinë, zhvilloi Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në.
Për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjen e kapitujve negociues, vendi duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës, në kuadër të kushteve të dakordësuara në paketën evropiane të vitit 2022.
Brukseli vazhdimisht i ka përsëritur Shkupit se duhet të përmbushë detyrimet e marra përsipër, ndërsa krahas ndryshimeve kushtetuese kërkohen edhe reforma në fusha të tjera kyçe.
Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë pa marrë garanci se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të reja dypalëshe gjatë procesit të mëtejshëm të integrimit.
Në këtë situatë, vizita e von der Leyenit pritet të jetë një tjetër moment për të matur nëse ekziston hapësirë për kompromis mes qëndrimit të Shkupit dhe kërkesave të BE-së, por edhe nëse mesazhet politike nga Brukseli do të shoqërohen me ndonjë nismë konkrete për tejkalimin e ngërçit.
Për momentin, mbetet e hapur nëse vizita do të sjellë një hap të ri në proces apo do të shërbejë kryesisht si konfirmim i kërkesave tashmë të njohura të Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit
- LEXO: Filipçe: Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht, mund të jemi të zemëruar me Evropën, por duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të marrim vendime të vështira