RMV, lufta kundër korrupsionit në udhëkryq, si po fshihen pronarët e vërtetë të kompanive që marrin tenderë shtetërorë?
Struktura jotransparente e pronësisë së kompanive mund të jetë hapësirë për korrupsion, sidomos kur bëhet fjalë për kompani që marrin para publike përmes tenderëve, koncesioneve ose partneriteteve publike-private. Pikërisht për këtë arsye një nga masat në luftën kundër korrupsionit është qasja më e madhe publike në informacionet për atë se kush në të vërtetë i zotëron dhe i kontrollon kompanitë që lidhin kontrata me shtetin, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Ky zotim është pjesë e Planit Aksionar Kombëtar për Partneritet për Qeverisje të Hapur 2024-2026 në kuadër të masave të drejtuara drejt një transparence më të madhe dhe luftës kundër korrupsionit. Meta analizoi se cilat nga zotimet në kuadër të luftës kundër korrupsionit janë përmbushur e cilat jo, si dhe cilat prej tyre do të gjenden edhe në Planin Aksionar 2026-2028.
Nga viti 2019 Maqedonia e Veriut ka Regjistër të pronarëve të vërtetë nëpërmjet të cilit regjistrohen personat që janë pronarë përfundimtarë ose kontrollorë të kompanive. Regjistri i pronarëve të vërtetë u vu në përdorim më 27 janar të vitit 2021, ndërsa të dhënat prej tij janë të qasshme nga 27 prilli i vitit 2021 e këndej. Por, të dhënat nga regjistri nuk janë plotësisht të hapura për publikun, por janë të qasshme përmes një procedure zyrtare dhe me pagesën e tarifës. Prandaj, qëllimi i zotimit është që këto informacione të jenë më lehtësisht të qasshme dhe të mund të lidhen me të dhënat për prokurimet publike dhe kontratat e tjera me shtetin. Edhe pse në faqen zyrtare për monitorimin e Planit aksionar kombëtar zotimi është shënuar si “i përfunduar”, në vetë arsyetimin e tij thuhet se zgjidhja e paraparë e adreson problemin vetëm pjesërisht. Si çështje të hapura numërohen mungesa e qasjes publike në të dhënat për pronarët e regjistruar të kompanive, si dhe fakti që të dhënat nuk janë të qasshme në formën e të dhënave të hapura, gjë që e vështirëson përdorimin dhe lidhjen e tyre me baza të tjera. Por, Raporti i Qendrës për Komunikime Qytetare tregon se nga 17 institucione që janë kompetente në luftën kundër korrupsionit, vetëm dy e përdorin këtë regjistër, përkatësisht Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (AMS). Institucionet si Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe njësitë për krimin ekonomik dhe financimin e partive nuk i përdorin të dhënat nga ky regjistër, gjegjësisht nuk kanë pasur nevojë t’i përdorin ose nuk kanë mbajtur evidencë për përdorimin e tij.
Shteti t’i publikojë kontratat për koncesione dhe partneritete publike-private
Kontratat me të cilat shteti u jep të drejtë kompanive private të shfrytëzojnë burime natyrore ose lidh partneritete afatgjata me sektorin privat duhet të jenë të qasshme publikisht. Ky është zotimi i dytë, i cili sipas portalit zyrtar për Partneritet për Qeverisje të Hapur e ka statusin “domethënës“.
Qëllimi është të rritet transparenca e kontratave që institucionet shtetërore i lidhin me sektorin privat. Krahas prokurimeve publike, koncesionet dhe partneritetet publike-private janë ndër mënyrat më të rëndësishme përmes të cilave shteti lidh kontrata me kompani private.
Edhe pse kontratat për prokurime publike tashmë janë të qasshme publikisht, kjo nuk vlen plotësisht edhe për kontratat për koncesione dhe partneritete publike-private. Zotimi parasheh që ky dallim të tejkalohet dhe qytetarët të kenë qasje edhe në këto kontrata , duke filluar që nga ajo se me kë janë lidhur e deri te kushtet me të cilat janë lidhur.
Në rastin e koncesioneve zotimi u referohet kontratave për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale dhe kontratave për hulumtime të detajuara gjeologjike. Të gjitha kontratat për koncesione dhe partneritete publike-private duhet të publikohen publikisht në uebfaqen e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Kur bëhet fjalë për partneritetet publike-private zotimi parasheh që kontratat të publikohen në Sistemin Elektronik të Prokurimeve Publike (SEPP), ku tashmë po publikohen shpalljet për vendosjen e partneriteteve publike-private. Sipas shembullit të prokurimeve publike kontratat e lidhura duhet të jenë të qasshme në pjesën “dokumente”, veçmas për secilin partneritet publik-privat. Por, sipas raportit për realizimin e zotimit, për këtë nevojitet përmirësim i SEPP-it, ndërsa legjislacioni ekzistues nuk parasheh detyrim që partneri publik ta dorëzojë kontratën e lidhur pranë ministrisë kompetente.
Zotimi i përfshin ministritë, komunat, si dhe ndërmarrjet publike dhe shtetërore të themeluara prej tyre.

Plan për transparencë më të madhe të seancave qeveritare dhe takimeve
Qytetarët të kenë qasje në atë se me kë takohen kryeministri dhe ministrat, për çfarë bisedojnë dhe cilat tema shqyrtohen në seancat e Qeverisë – ky është qëllimi i njërit prej zotimeve të parapara në Planin aksionar kombëtar për Partneritet për Qeverisje të Hapur në kuadër të masave për luftën kundër korrupsionit. Zotimi e ka statusin “i kufizuar”.
Ideja është që puna e Qeverisë të jetë më transparente, sidomos kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve dhe takimet e përfaqësuesve më të lartë qeveritarë. Transparenca më e madhe e këtyre informacioneve duhet të ulë rrezikun nga korrupsioni dhe t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin më lehtë se kush ka qasje te bartësit e pushtetit ekzekutiv dhe për cilat çështje bisedojnë.
Një nga masat e parapara është publikimi i detyrueshëm i kalendarit të takimeve të kryeministrit dhe ministrave. Në kalendar duhet të ketë informacion se me kë është caktuar apo mbajtur takimi, kur mbahet dhe cila është tema e tij. Kalendari duhet të jetë i qasshëm dhe i azhurnuar të paktën shtatë ditë para.
Parim i ngjashëm është paraparë edhe për seancat e Qeverisë. Rendi i ditës duhet të publikohet të paktën shtatë ditë pune para mbajtjes së seancës, me çka publiku paraprakisht do mund ta dijë se cilat tema do t’i shqyrtojë Qeveria dhe për cilat çështje do të sjellë vendime. Sipas Pasqyrës të zbatimit të zotimit me Rregulloren e re të punës së Qeverisë afati për publikimin e rendit të ditës është caktuar në të paktën tre ditë para mbajtjes së seancës, në vend të shtatë ditëve të parapara të punës. Rendi i ditës në portalin e-Qeveria është i qasshëm vetëm për ministritë, institucionet e tjera dhe kabinetet, ndërsa për publikun publikimi duhet të bëhet përmes portalit qeveritar. Ajo thekson edhe se ekzistojnë procesverbalë nga shumica e seancave të mbajtura qeveritare, por jo nga të gjitha, si dhe se ka dallim në numrin e publikimeve në versionin maqedonisht dhe atë shqip. Mënyra e këtillë e punës duhet të kontribuojë për besim më të madh tek institucionet dhe për përgjegjësi më të madhe nga bartësit e vendimeve. Transparenca e takimeve dhe seancave mund të ndihmojë edhe në zbulimin e konflikteve potenciale të interesit dhe ta zvogëlojë hapësirën për ndikim jotransparent mbi vendimet qeveritare.
Sipas raportit të Mekanizmit të Pavarur të Raportimit (Independent Reporting Mechanism – IRM), i cili i referohet planit aksionar 2024-2026, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ka për qëllim ta përmirësojë transparencën e seancave dhe takimeve qeveritare. Sekretariati duhet të zhvillojë procedurë për publikimin e kalendarëve të takimeve të përfaqësuesve qeveritarë, e cila do t’i përfshijë pjesëmarrësit, temat, shënimet e standardizuara nga takimet, si dhe njoftimet e rendit të ditës të paktën shtatë ditë pune para mbajtjes së seancës.
Të gjitha këto zotime kanë një qëllim, e ai është që qytetarët të mund të ndjekin më lehtë se si shpenzohen paratë publike, kush qëndron pas kompanive që marrin kontrata shtetërore dhe si merren vendimet në Qeveri. Por, pyetja kyçe nuk është vetëm nëse mekanizmat për transparencë ekzistojnë, por nëse ata funksionojnë në praktikë dhe nëse qytetarët me të vërtetë mund t’i përdorin. Nga kjo në masë të madhe varet edhe nëse zotimet nga Plani Aksionar Kombëtar për Partneritet për Qeverisje të Hapur do të mbeten vetëm detyrime formalisht të përmbushura apo do të kontribuojnë për llogaridhënie më të madhe dhe hapësirë më të vogël për korrupsion.
- LEXO: RMV, gati e pamundur zbulimi i plotë të pronarëve të vërtetë të kompanive që fitojnë tenderë
- LEXO: Nga të dhënat e hapura te e-komunat, si po e bën Partneriteti për Qeverisje të Hapur Maqedoninë e Veriut më digjitale dhe transparente?
- LEXO: Transparenca e pushtetit është kusht për uljen e korrupsionit, si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve
Teksti është përgatitur në kuadër të projektit “Së bashku për Partneritetin për Qeverisje të Hapur: Mbështetje për procesin e zbatimit dhe hartimin e së ardhmes”, i financuar nga Sekretariati për Partneritet për Qeverisje të Hapur.