“Të zgjidhen mosmarrëveshjet me fqinjët”, pritet të porosisë Kosta Maqedoninë gjatë vizitës së dy qershorit
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut më 2 qershor, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor përpara samitit të ardhshëm midis Bashkimit Evropian (BE) dhe rajonit, që do të mbahet më 5 qershor në Tivat. Sipas agjendës zyrtare të presidentit të Këshillit Evropian, ai do të fillojë turneun e tij në Ballkan të hënën, më 1 qershor, në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe do ta përfundojë atë të enjten, më 4 qershor, me një vizitë në Mal të Zi, ku do të jetë bashkë-organizator i samitit të nesërmen, transmeton Portalb.mk.
Vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është planifikuar për të martën, më 2 qershor, vizitë në Kosovë është planifikuar për 3 qershor, dhe në ditën e fundit të turneut, më 4 qershor, ai do të vizitojë Serbinë dhe Malin e Zi.
Ky është turneu i dytë i Kostas në rajonin e Ballkanit Perëndimor në më pak se dy vjet, që kur ai mori detyrën si udhëheqës i institucionit më të rëndësishëm politik të Bashkimit Evropian më 1 dhjetor 2024.
“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, ashtu si edhe mundësia për zgjerim. Momenti është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate”, tha presidenti i Këshillit Evropian pasi konfirmoi vizitën e ardhshme.
Sipas zyrtarëve të Brukselit, samiti i rregullt vjetor midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë një mundësi për të riafirmuar angazhimin e udhëheqësve evropianë ndaj procesit të zgjerimit.
Zyrtarët e BE-së nuk e përjashtuan mundësinë e fillimit të një diskutimi mbi propozimin e fundit nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili propozon statusin e vëzhguesit për vendet e rajonit dhe statusin e anëtarit të asociuar për Ukrainën.
Burime në Bruksel thonë se ka ide dhe propozime të ndryshme, por se derisa të ketë një ndryshim konkret në procedura, procesi i zgjerimit do të vazhdojë sipas metodologjisë aktuale.
Zyrtarët e BE-së paralajmëruan se udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do t’u kërkojnë vendeve të rajonit të shfrytëzojnë momentumin pozitiv për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, gjë që u konfirmua me fillimin e përgatitjes së marrëveshjes së anëtarësimit BE-Mali i Zi.
Udhëheqësit evropianë, sipas njoftimeve, do t’u theksojnë udhëheqësve të rajonit rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme, përfshirë politikën e sanksioneve.
Vendeve të rajonit do t’u kërkohet të përmirësojnë sundimin e ligjit dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me fqinjët e tyre.
Samitet BE-Ballkani Perëndimor janë bërë praktikë e rregullt që nga viti 2020. Ato mbahen një herë në vit, dhe çdo herë tjetër organizohen në një nga vendet e rajonit.
Samiti u mbajt për herë të parë jashtë kufijve të BE-së në vitin 2022 në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.
Ky format përfaqëson një platformë kyçe politike për dialog strategjik midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, me fokus në zgjerimin, sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor.
Samiti i këtij viti në Mal të Zi ka një rëndësi të veçantë, pasi është i vetmi vend në rajon që aktualisht ka një perspektivë të besueshme për anëtarësim.
Fitorja bindëse e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një kthesë të rëndësishme politike për vendin, megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ulëta.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.