Aksident tjetër i rëndë në RMV: Një 17-vjeçare humbi jetën, katër persona u lënduan, mes tyre një fëmijë

Një 17-vjeçare humbi jetën, ndërsa një fëmijë 7-vjeçar u lëndua në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi dje pasdite, rreth orës 18:30, në rrugën Manastir-Prilep, në vendin e quajtur Tullanata, transmeton Portalb.mk.

Aksidenti ndodhi mes një automjeti “Opel” me targa të Manastirit, i drejtuar nga E.F. (28) nga fshati Kanatlarci i Prilepit, dhe një automjeti “Ford” me targa të Manastirit, i drejtuar nga M.N. (48) nga fshati Dolno Srpci.

“Në vendngjarje ka ndërruar jetë një bashkudhëtare 17-vjeçare nga automjeti ‘Opel’, ndërsa vdekjen e ka konstatuar një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore nga Manastiri”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Drejtuesi i “Opel”-it, së bashku me D.N. (44) dhe një fëmijë 7-vjeçar nga fshati Dolno Srpci, bashkudhëtarë në “Ford”, kanë pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Manastirit. I lënduar është edhe drejtuesi M.N.

Inspektimi në vendin e aksidentit e ka kryer ekipi hetimor i SPB Manastir.

Kujtojmë se në një tjetër aksident trafiku gjatë ditës së djeshme, dy persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan.