“Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza
Ministri i Jashtëm Timço Mucunski dhe homologia e tij bullgare, shefja e sapoemëruar e diplomacisë Vesisllava Petrova-Çamova, patën një takim të shkurtër dje në Bruksel, ku morën pjesë në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, por menjëherë i dërguan njëri-tjetrit mesazhe të ashpra. Mucunski kritikoi Petrova-Çamovën për përdorimin e termit “maqedonas të veriut”, por edhe për formatin e “takimit”. Çamova, nga ana tjetër, i tha qartë atij – bëni ndryshime kushtetuese nëse doni të vazhdoni rrugën drejt BE-së, trasmeton Portalb.mk.
“Përdorimi i termit “maqedonas të veriut” për t’iu referuar popullit maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm. Maqedonasit janë maqedonas. Kjo nuk është çështje politike, por e respektit themelor për identitetin dhe dinjitetin e një populli. Në diplomaci, preciziteti nuk është formalitet, por pasqyrim i respektit”, reagoi ministri Mucunski ndaj deklaratës së Çamovës.
Ai shtoi se ata nuk patën takim zyrtar dypalësh, por, siç tha ai, shkëmbim të shkurtër fjalësh në një ngjarje margjinale, në prani të disa kolegëve.
“Nëse një bisedë njëminutëshe quhet “takim”, atëherë sot patëm vërtet shumë “takime”. Dhe, siç i thashë Vesisllavës, shpresoj që së shpejti do të zhvillojmë takim – në një atmosferë miqësore dhe pozitive, që synon ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, reagoi Mucunski përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ministrja e Jashtme bullgare nga Brukseli tha se patën një takim të parë të mirë me homologun e saj maqedonas dhe përsëriti se Bullgaria ka një qëndrim të shprehur qartë se problemi me Maqedoninë nga viti 2022 nuk është më një çështje dypalëshe, por një çështje diskutimi midis Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat.
“Ky qëndrim u konfirmua sot. Jam e lumtur që kemi një konsensus shumë të gjerë politik për këtë në Bullgari. Ua kam thënë këtë edhe partnerëve tanë të Maqedonisë së Veriut. Presim aktivitete prej tyre që do të tregojnë se kanë gatishmëri të plotë politike për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane. Kjo dritare zgjerimi mund të hapet në vitet e ardhshme, dhe nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, në fakt mund të humbasin”, tha Petrova-Çamova.
Ajo theksoi se Bullgaria mbetet një faktor jashtëzakonisht mbështetës.
“Është gjithashtu mirë për ne të shohim aktivitet më të fortë nga ana e tyre në përputhje me marrëveshjet e arritura. Ata kanë një mundësi unike. Shohim se vende si Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë përparim serioz. Kjo dritare zgjerimi mund të hapet në vitet e ardhshme dhe nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, në fakt mund të humbasin. Të qëndrojnë në marrëveshjen e arritur në vitin 2022 dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm politikë. Të hapin rrugën e tyre evropiane”, shtoi shefja e diplomacisë bullgare, e cila, sipas BGNES, luajti një rol kyç në krijimin e kornizës negociuese për Maqedoninë, të propozuar nga presidenca franceze e Këshillit të BE-së në qershor 2022.
Me një reagim ndaj takimit ose bisedës njëminutëshe midis Mucunskit dhe Çamovës, foli edhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, duke theksuar se Ministri i Punëve të Jashtme nuk e tha të vërtetën për takimin.
“Pavarësisht nëse pati takim apo jo, pavarësisht nëse ishte informal apo formal, mesazhi që Mucunski mori nga Petrova-Çamova është i qartë, se Bullgaria ka një qëndrim të shprehur qartë, i cili nga viti 2022 nuk është dypalësh, por një çështje për diskutim midis BE-së dhe vendit kandidat dhe se nëse nuk zbaton detyrimet e saj, Maqedonia mund të humbasë mundësinë për të qenë pjesë e zgjerimit të Unionit në vitet e ardhshme. Pa përfshirja e pakicave në Kushtetutë – që është një çështje evropiane, jo bullgare – nuk do të ketë përparim në integrimin në BE”, tha Filipçe.
Nga ana tjerër VMRO reagoi duke akuzuan Filipçen se është një politikan i korruptuar, plot me krime, afera dhe skandale, duke i kërkuar të “përgjigjet drejtpërdrejt, me çfarë po shantazhohet nga një grup politikanësh bullgarë për të udhëhequr një politikë anti-maqedonase?”.
“Në mosveprim të plotë në lidhje me veprimin politik, SDS dhe Filipçe mbrojnë interesat bullgare, në vend të atyre maqedonase. I vetmi, por edhe më i zhurmshmi në vend që kërkon zbatimin e kërkesave bullgare është Venko Filipçe. Vetëm një politikan i shantazhuar e bën këtë. Më parë ishte Zoran Zaev, dhe tani është Venko Filipçe. Në fakt, Venko Filipçe është një politikan i cili, si kryetar i një partie, ka një vlerësim më të ulët se vetë partia, vetëm 3%, dhe vetë guxon të flasë për procesin e integrimit evropian të vendit, por qytetarët nuk habiten më nga fjalimet e tij, sepse nuk priten rezultate prej tij”, thanë nga VMRO.
Nga ana tjetër, TV 24 mëson se Ministria e Punëve të Jashtme do të thërrasë ambasadorin bullgar për deklaratën e shefes së diplomacisë bullgare e cila përdori termin “maqedonas të veriut”.
Shpresat në Maqedoni se Bullgaria më në fund do të ketë një qeveri të qëndrueshme me të cilën do të jetë e mundur të negociohet për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian u ringjallën me zgjedhjen e Rumen Radev si Kryeministër. Kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski madje i bëri ftesë publike homologut të tij bullgar për të vizituar Shkupin, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga pala tjetër. Pas fitores në zgjedhje, Radevi ishte i vendosur se do t’i përkushtohej çështjeve ekonomike dhe luftës kundër korrupsionit.
Partneri qeveritar i Mickoskit, Bilall Kasami nga VLEN, në një intervistë për “360 Gradë” pardje, duke folur për garancitë që kërkon VMRO-DPMNE nga Bullgaria se ndryshimet kushtetuese do të jenë pengesa e fundit në rrugën drejt BE-së, tha se partia e tij dëshiron të jetë një urë për të rivendosur komunikimin midis Shkupit dhe Sofjes.
“Është në këtë drejtim që duam të rivendosim atë komunikim midis Sofjes dhe Shkupit në pjesën e kësaj çështjeje që është e fundit para zgjidhjes së plotë të Maqedonisë, anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky problem nuk kërkon zgjidhje të njëanshme. Le të shpresojmë që më në fund në Sofje të ketë një qeveri të qëndrueshme politike me të cilën mund të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje përfundimtare”, tha Kasami.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Mickoski paralajmëroi rrugë më të vështirë drejt BE-së në vend të kompromiseve
- LEXO: Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së: Derisa vendit i kërkohen reforma, Mucunski kritikon për qasje bilaterale
- LEXO: Fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet në Bullgari, por jo zgjidhje për Shkupin
- LEXO: Siljanovska-Davkova dhe Gashi shpresojnë në gjetjen e zgjidhjes mes Sofjes dhe Shkupit pas fitores së Radevit