LSDM: Sot është afati i fundit për përmbushjen e Agjendës së Reformave, një tjetër gënjeshtër e Mickoskit
Sot është afati që vetë Hristijan Mickoski ua vendosi qytetarëve, për të përmbushur të 10 pikat e Agjendës së Reformave deri më 1 qershor, reagon LSDM. “Po dëshmojmë një tjetër premtim të pambajtur dhe një tjetër gënjeshtër të madhe nga Mickoski. Ai erdhi në pushtet me gënjeshtra. Premtoi ta kthejë emrin, se do ta shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës, se do të ofrojë kushte më të mira negociuese, investime më të mëdha të huaja dhe një standard më të mirë jetese”, thonë nga LSDM, transmeton Portalb.mk.
Nga partia shtojnë gjithashtu se ai gënjeu se gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar maqedonas janë të kërcënuara.
“Çfarë morëm?
• Ata pranuan se nuk do ta kthejnë emrin, në “IRJM” ose “FYROM.
• Mickoski e quajti Marrëveshjen e Prespës kryevepër të diplomacisë.
• Gordana Siljanovska pranoi se gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar maqedonas janë të mbrojtura.
• Timço Mucunski pranoi se NATO është një “gjë fenomenale” dhe se krijon një klimë të favorshme për investime.
Investimet e huaja kanë rënë me 60%”, thonë nga LSDM.
Ata shttojnë se ekonomia është më keq, nuk ka rritje të pagës minimale, inflacioni është shumë më i lartë se në BE.
“Qytetarët mezi po ia dalin mbanë. Nuk e kthyen emrin, nuk e shfuqizuan Marrëveshjen e Prespës, krijuan konflikte me fqinjët, nuk plotësuan asnjë kusht. Mjaft me gënjeshtrat!”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
LSDM shton gjithashtu se qytetarët e Maqedonisë nuk duan më të paguajnë çmimin për Mickoskin dhe, siç thonë ata, grupin e tij kriminal.
“Ata nuk duan që ata, familjet dhe fëmijët e tyre të paguajnë çmimin e izolimit dhe grabitjes. Thirrni referendum! Lërini qytetarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Kreu i kësaj partie, Venko Filipçe tha se ndërsa vendet e rajonit po përparojnë me shpejtësi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia po ngec për shkak të dështimit të zbatimit të reformave dhe bllokimit të rrugës evropiane nga Qeveria e VMRO-së.
“Rajoni po ecën përpara. Mali i Zi dhe Shqipëria tashmë po i mbyllin kapitujt e negociatave. Puna me Malin e Zi është pothuajse e përfunduar. Marrëveshjet e anëtarësimit po shkruhen. Me Shqipërinë do të jetë shumë shpejt”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se ndërsa vendet fqinje po i afrohen anëtarësimit në BE, kryeministri Mickoski, siç tha ai, po e shtyn me vetëdije Maqedoninë në izolim dhe po rrezikon interesat kombëtare.
“Çfarë do të bëjmë? Çfarë do të thotë Hristijani – “jo, jo, unë jam patrioti që lufton për Maqedoninë”. Çfarë po lufton Hristijani për Maqedoninë? Pra, ai është njeriu që kërcënon interesat kombëtare. Na lë vetëm dhe mënjanë për të qenë një shtojcë në Ballkan dhe në Evropë. Si është patriot i madh? Ata kishin patriotë të mëdhenj, Hristjanin dhe Timço, imagjinoni. Çfarë bëjnë njerëzit – “nuk po bëjmë asnjë hap përpara”, kjo nuk ka ndodhur në historinë e shtetit”, tha Filipçe.
Ai theksoi se në rrethanat aktuale gjeopolitike, zgjerimi është një nga qëllimet kryesore strategjike të Bashkimit Evropian dhe se shteti duhet ta shfrytëzojë këtë moment historik.
“Një nga katër qëllimet strategjike tani të Bashkimit Evropian, në këtë situatë gjeostrategjike në ndryshim, momentet gjeopolitike me Ukrainën, me Moldavinë, me Ballkanin Perëndimor e kështu me radhë, duhet të bashkohemi tani”, tha Filipçe.
Duke folur për statusin e zbatimit të agjendës së reformave, Filipce theksoi se dështimi për të zbatuar reformat kyçe është një tjetër provë se Qeveria nuk ka qëllim të vërtetë për ta futur shtetin në Bashkimin Evropian.
“Ajo që kemi thënë gjatë muajve të fundit po konfirmohet, se kjo qeveri thjesht nuk na do në Evropë. Dhe kjo është arsyeja pse themi të ndalojmë së gënjyeri. Ne e dimë se cila është rruga përpara, rruga përpara janë ndryshimet kushtetuese. Nëse e humbasim këtë tren, nëse e humbasim këtë mundësi, ndoshta tjetrën, për qytetarët, për brezat e ardhshëm, thjesht nuk do të ketë asnjë”, tha Filipçe.
Përndryshe, afati formal për përmbushjen e reformave të Agjendës është fundi i qershorit, ndërsa pas kësaj periudhe ekziston edhe një afat shtesë prej disa javësh për kompletimin e dokumentacionit dhe dorëzimin e tij në Komisionin Evropian.
Komisioni Evropian më 20 maj miratoi këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Prej tyre:
- 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror;
- ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: Dy reforma janë në pikëpyetje deri në qershor, Qeveria do të kërkojë “mirëkuptim” nga KE
- LEXO: Komisioni Evropian miratoi këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut nga Plani i rritjes
- LEXO: Asnjë hap, 50 detyra: A do t’i arrijë Maqedonia reformat deri në qershor 2026?
- LEXO: Maqedonia e Veriut larg parave evropiane me zbatim të dobët të reformave, ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuara