Grosha e Tetovës po zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike dhe sepse të rinjtë nuk duan të punojnë në ara
Në fshatin Tearcë të Tetovës u mbajt për të 14-tën herë manifestimi “Dita e Groshës”, me të cilin organizatorët synojnë të ndikojnë në rritjen e prodhimit të groshës së Tetovës, deri vonë produkti më i rëndësishëm që prodhohej në Fushën e Pollogut. Por, për fat të keq, nga viti në vit fasulja e Tetovës gjendet gjithnjë e më vështirë në treg, ndërsa paralelisht çmimi i saj është gjithnjë e më i lartë, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
“Me manifestimin tonë duam ta promovojmë fasulen e Tetovës si një markë të Rajonit të Pollogut. Çdo vit, për arsye të ndryshme, e më së shumti për shkak të ndryshimeve klimatike, zvogëlohet sasia e groshës së prodhuar. Përveç ndryshimeve klimatike, përkatësisht temperaturave të larta gjatë verës që e thajnë groshën, rënia e prodhimit vjen edhe për shkak se shumë pak njerëz kanë mbetur që të mbjellin fasule në arat e Pollogut. Të rinjtë kanë gjithnjë e më pak interes të merren me bujqësi. Prandaj, me këtë manifestim duam t’u përcjellim një mesazh të rinjve se nëse përfshihen në kultivimin e fasules, mund të bëjnë diçka më shumë në zonat rurale”, thotë Metin Muaremi nga organizata joqeveritare CED, e cila është organizatore e manifestimit.
Se në arat e Tetovës ka gjithnjë e më pak groshë e konfirmojnë edhe njerëzit që prej vitesh e kanë mbjellë këtë kulturë bujqësore.
“Unë mbjell groshë prej tridhjetë vitesh. Çdo vit kam mbjellë nga 3-4 dynymë, por tani mezi mbolla dy dynymë, sepse ka thatësirë të madhe. Groshën duhet ta ujisësh shtatë herë që të arrish të shpëtosh diçka nga rendimenti, por edhe kjo është e vështirë sepse kanali i ujitjes është i mbyllur dhe nuk ka orar për përdorimin e ujit. Më parë mjaftonte ta ujisnim fasulen vetëm dy herë dhe merrja 300 deri në 400 kilogramë për dynym, ndërsa tani mezi marr 300 kilogramë nga dy dynymë. Për këtë arsye gjithnjë e më shumë zvogëlohet numri i prodhuesve të fasules, ndërsa nuk ka as njerëz që të punojnë, sepse të rinjtë nuk e duan këtë punë, mbjelljen e fasules”, thotë Abdulla Muaremi nga Tearca.
Manifestimi “Dita e Groshës” ka edhe karakter kulturor dhe argëtues, ndërsa marrin pjesë shoqata kulturore-artistike dhe nxënësit shesin ushqime që i kanë përgatitur vetë. U mbajt edhe ekspozita tradicionale e sendeve të vjetra nga “Muzeu më i vogël në botë” i Mone Zllatеvit, ndërsa këtë vit të ftuar në manifestim ishin edhe rreth tridhjetë vullnetarë nga Polonia.
Për të gjithë pjesëmarrësit dhe mysafirët u organizua një tryezë e përbashkët, ku u shërbye groshë tetovare, e përgatitur nga Krume Trpçeski.
“Groshën për manifestimin e siguruan banorët e Tearcës, ndërsa unë e përgatita. Në këtë kazan ka rreth 18 kilogramë fasule, që mjaftojnë për 300 racione. Për një racion të mirë fasuleje fillimisht duhet një mjeshtër i mirë. Pastaj fasulja duhet të zihet dhe duhet të dish në cilin moment cilët përbërës t’i shtosh, kur ta vendosësh mishin, kur përbërësit e tjerë dhe kur t’i shtosh fërgesën, si dhe sa gjatë ta ziesh që të dalë e mirë. Disa thonë se e rëndësishme është edhe uji, përkatësisht se nga është fasulja, nga aty duhet të jetë edhe uji për zierjen e saj. Ndoshta ka diçka edhe në këtë, por sipas meje, më e rëndësishme është mjeshtëria e kuzhinierit”, thotë Trpçeski.