Fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet në Bullgari, por jo zgjidhje për Shkupin
Fitorja bindëse e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një kthesë të rëndësishme politike për vendin. Me 131 nga 240 vende në parlament, kjo fitore pritet t’i japë fund një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie politike, e karakterizuar nga qeveri teknike dhe koalicione afatshkurtra që nga viti 2021. Sipas European Western Balkans, ky stabilizim politik mund të krijojë kushte për një rishikim të marrëdhënieve me fqinjët rajonalë, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ulëta. Që nga viti 2020, Bullgaria ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën. Një nga kërkesat kryesore të Sofjes është përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si një popull përbërës.
Analistët vlerësojnë se Rumen Radev ka gjasa të vazhdojë me këtë qëndrim të ashpër edhe si kryeministër. Ai ka qenë një nga zërat kryesorë që ka insistuar në ndryshimet kushtetuese si kusht për përparimin e Shkupit drejt Bashkimit Evropian. Për rrjedhojë, një kompromis duket i vështirë në një të ardhme të afërt.
Analistja bullgare Rumena Filipova vlerëson se Radev, tani në pozicionin e kryeministrit, ka të ngjarë të mbajë qëndrim të ashpër ndaj Maqedonisë së Veriut. Ajo thekson se si president ai tashmë ka këmbëngulur në ndryshimet kushtetuese dhe se pikëpamjet e tij janë më të theksuara në nivel kombëtar, gjë që lë pak hapësirë për kompromis të lehtë.
“Ai gjithashtu shpreh qëndrime që janë më të vendosura në nivel kombëtar, kështu që një kompromis në procesin e marrëdhënieve dypalëshe mund të mos parashikohet lehtë. Në të njëjtën kohë, duhet përmendur se tema e marrëdhënieve bullgaro-maqedonase mungon në debatin publik-politik në Bullgari, ndryshe nga katër vjet më parë kur ishte në qendër të vëmendjes. Pra, qeveria e re mund të shohë më pak urgjencë në adresimin e çështjeve dypalëshe”, vëren Filipova.
Nga perspektiva e Maqedonisë së Veriut, kjo situatë shihet si një vazhdim i status quo-së. Sipas ekspertëve të cituar nga European Western Balkans, fitorja e Radevit forcon pozicionet ekzistuese që pengojnë procesin e negociatave me BE-në. Kjo nënkupton se përparimi i vendit drejt BE-së do të mbetet i kushtëzuar dhe i bllokuar politikisht.

Aleksandar Krzhalovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar kujton se Radevi nuk ishte krijues i problemit, por ai kontribuoi në përkeqësimin e marrëdhënieve dhe në vendosjen e ndryshimeve kushtetuese si një kusht kyç që bllokon rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Sipas tij, nuk duhet të pritet një kthesë e madhe, veçanërisht pasi qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk tregon asnjë gatishmëri për të hapur ndryshimet kushtetuese pa garanci të forta se Bullgaria nuk do të vendosë përsëri pengesa të reja.
“Edhe pse ai nuk ishte vetë krijuesi i problemit, ai kontribuoi në ‘forcimin’ e marrëdhënieve dhe shpiku kushtin kryesor të ‘Ndryshimeve Kushtetuese’, të cilat tani po e pengojnë rrugën maqedonase drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka gjasa që Radev, tani nga pozicioni ikKryeministrit, të ketë ndonjë qëndrim tjetër, ndërsa edhe qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut nuk tregon ndonjë gatishmëri për të ecur përpara me ndryshimet kushtetuese, pa garanci të forta se Bullgaria nuk do të bëjë pengesa dhe veto të mëtejshme në këtë proces”, vëren ai.
Dimitar Nikolloski nga Eurothink shkon një hap më tej dhe vlerëson se fitorja e Radevit, parë nga perspektiva e integrimit evropian të Maqedonisë, vështirë se mund të konsiderohet një zhvillim pozitiv. Sipas tij, shanset për një kompromis ose rihapje të kornizës negociuese po bëhen edhe më të vogla, dhe procesi mbetet shumë i kushtëzuar dhe i bllokuar politikisht.
“Përkundrazi, efekti i saj kryesor është konsolidimi i mëtejshëm i pozicioneve që tashmë po bllokojnë dinamikën e procesit të pranimit. Teza kryesore është se me Radevin në krye, shanset për çdo lloj kompromisi ose rihapje të kornizës negociuese bëhen edhe më të vogla. Në periudhën e kaluar, Radev ka demonstruar qartë dhe vazhdimisht se nuk ka ndërmend të devijojë nga kërkesat e Bullgarisë”, vlerëson Nikolloski.
Në planin më të gjerë rajonal, politika e Radevit ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet ende e paqartë. Megjithatë, duke pasur një mandat të fortë politik, ai mund të ketë mundësi të angazhohet më aktivisht në rajon. Njëkohësisht, qëndrimet e tij ndaj Rusisë dhe thirrjet për marrëdhënie “praktike” me të mund të shkaktojnë kujdes si nga vendet e rajonit ashtu edhe nga partnerët evropianë.

Me fjalë të tjera, edhe pse fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet të brendshëm në Bullgari, ajo nuk pritet të sjellë ndryshime të shpejta në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi, një periudhë stagnimi dhe negociatash të vështira duket si skenari më i mundshëm në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, krerët e vendit presin zgjidhje të re në krye me Radevin. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pas zgjedhjeve në Bullgari, tha se ajo dhe Radev, si ish-president i Bullgarisë, nuk ishin dakord për shumë gjëra, por theksoi se dinë ta dëgjojnë njëri-tjetrin me respekt dhe, siç tha ajo, të arrijnë në përfundimin se do të kërkojnë zgjidhje.
Kryeparlamentari Afrim Gashi nga ana tjetër, ashtu si Siljanovska, shprehu shpresën se Bullgaria fqinje më në fund do të ketë një qeveri të qëndrueshme politike, e cila do të mbyllte edhe çështjet e hapura midis Shkupit dhe Sofjes.
Edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, fitorja e Radevit sjell më shumë pasiguri sesa një strategji të qartë. Analiza pohon se qasja e tij ndaj rajonit do të varet nga mënyra se si ai i përcakton marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Kinën. Pas zgjedhjeve, ai konfirmoi orientimin evropian të Bullgarisë, por në të njëjtën kohë bëri thirrje për “marrëdhënie praktike” midis BE-së dhe Rusisë, gjë që mund të hapë kujdes shtesë në Bruksel.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.