Italia do të ndalojë mbulimin e fytyrës në shkolla dhe do të kufizojë numrin e nxënësve të huaj nëpër klasa

Italia po përgatitet të ndalojë mbulimin e fytyrës në shkolla dhe të vendosë një kufi për numrin e nxënësve të huaj nëpër klasa, tha të dielën kryeministrja Giorgia Meloni, teksa theksoi qëndrimet e saj të djathta në një aktivitet rinor të organizuar nga partia e saj, raporton Reuters.

Italia është ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj ardhjeve të migrantëve për shkak të pozitës së saj në Mesdheun Qendror, duke e bërë migracionin një çështje të ndjeshme dhe një sfidë të madhe për qeveritë e njëpasnjëshme.

Integrimi i migrantëve, mbetet çështje e debatueshme në politikën dhe shoqërinë italiane. Debatet për simbolet fetare, integrimin kulturor, rregullat për shtetësinë dhe politikat e migracionit shpesh polarizojnë opinionin publik.

“Një masë së shpejti do t’i paraqitet mbledhjes së Qeverisë për të përcaktuar ligjërisht një numër maksimal të nxënësve të huaj nëpër klasa. Ajo gjithashtu kërkon që prindërit e nxënësve të huaj që përballen me vështirësi serioze në integrimin në sistemin shkollor të mësojnë italishten dhe ndalon burkat dhe nikabet në shkolla”, tha Meloni në tubimin vjetor të degës rinore të partisë së saj, Vëllezërit e Italisë.

“Nëse në një klasë ka vetëm një fëmijë që nuk e kupton italishten, ai fëmijë me shumë gjasë do të jetë në gjendje ta mësojë gjuhën dhe të integrohet shpejt me ndihmën e shokëve të klasës dhe mësuesve. Megjithatë, nëse numri i fëmijëve që nuk e kuptojnë gjuhën bëhet i madh – apo edhe shumicë – atëherë kjo nuk është më integrim; është neglizhencë”, shtoi ajo.

Meloni nuk specifikoi se sa do të jetë numri maksimal i nxënësve të huaj për klasë.

Nxënësit që nuk janë shtetas italianë përbëjnë 11,6 përqind të të gjithë nxënësve të regjistruar në shkollat italiane – pothuajse 12 në çdo 100 nxënës, sipas Fondacionit ISMU, një institucion kërkimor.

“Duhet të shkoni në shkollë me fytyrën të zbuluar dhe në Itali askush, në emër të një tradite reale apo të supozuar, nuk mund të vendosë që një vajzë e re duhet të fshihet”, tha Meloni.