Mirënjohje kombëtare për arritjet në sportin e RMV-së, ASH: Diskriminimi vazhdon, asnjë shqiptar në mesin e tyre
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndau sot mirënjohje kombëtare për arritjet më të larta në sport, gjë e cila është kritikuar nga dy Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës dhe Taravrit, pasi në mesin e tyre nuk ka asnjë shqiptar, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë vendim, shteti vendos një parim të ri – që suksesi i lartë sportiv duhet të vlerësohet jo vetëm në momente euforie, por edhe gjatë gjithë jetës. Pikërisht për këtë këto mirënjohje janë të përjetshme. Kjo është një shprehje konkrete respekti dhe falënderimi, dhe jo vetëm simbolikë. Këto 22 mirënjohje janë vetëm fillimi. Fillimi i një politike të re, një sistemi të ri vlerash, në të cilin sporti nuk është vetëm një garë, por një model. Për shkak se, nëse sporti na mëson diçka, është se asgjë nuk vjen brenda natës. Se sukseset janë fryt i rrugëve të gjata dhe të vështira.
Dhe pikërisht për këtë arsye jemi këtu sot – për të korrigjuar shtetin para atyre që e kanë merituar prej kohësh këtë nder”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës, nga ana tjetër ka reaguar duke thënë se për shqiptarët dyert janë të mbyllura edhe në sport dhe vlerësimet më të larta sportive që ndahen nga shteti dhe institucionet shtetërore.
“Sot, 22 sportistë u shpërblyen nga shteti me Mirënjohje Sportive Nacionale (pension sportiv). Asnjë shqiptar mes tyre edhe pse ka sportist shqiptarë që ka medalje evropiane. Sipas ligjit, pensioni sportiv u takon vetëm atyre që kanë fituar medalje në gara olimpike, botërore apo evropiane në sporte olimpike, duke përfaqësuar reprezentacionin e Maqedonisë. Po ashtu, në sportet jo-olimpike, e drejta për pension u takon vetëm atyre që kanë fituar medalje të artë në kampionate evropiane ose botërore. Ligji i ri – sportistët të cilët kanë arritur rezultat për klubin amë në garat europiane dhe botërorë për klube të vendit dhe jasht vendit. Në mesin e fituesve të mirnjohjeve nacionale të sportit (pensioni sportiv) kishte edhe sportistë të cilët janë aktiv, pikërisht ne si shqiptarë kemi garues aktiv që kanë medalje europiane dhe nuk kanë qenë të ftuar për mirënjohje”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Ndërkohë edhe Aleanca e Taravrit ka reaguar duke thënë se Qeveria VMRO-ZNAM dhe VLEN vazhdon me diferencimin dhe segregimin etnik ndaj shqiptarëve.
“Sot Kryeministri i RMV Hristijan Mickovski bashke me Ministrin e Sportit Borko Ristovski, kanë ndarë dhjetra mirënjohje për sportistet e dalluar ku në mesin e tyre asnjë mirënjohje për sportistë shqiptar. Ky vendim i ministrisë se sporit bashkë me Qeverinë nxjer në pah edhe njëherë aroganncën dhe albanofobinë edhe ndaj sportistëve shqiptar duke diskriminuar mbi bazë etnike shumë sportist shqiptar që sportin vendas e kanë ngritur në piadestal.
Rikujtojmë opinionin vendas por edhe Ministrin e Sportit Ristovski por edhe Kryeministrin Mickovskin, se shumë sportistë shqiptar, Maqedoninë e kanë bërë të njohur në arenën ndërkombëtare të sportit, sidomos me sportistët e dalluar që fituan medalje në lorjat Olimpike dhe kampionatet evropiane e botërore sic janë mundësit që shkëlqyen duke u stolisur me shumë medalje Shaban Sejdiu, Shaban Terstena, etj”, thuhet në regim.
Situata me përjashtimin e shqiptarëve edhe nga institucionet është përkeqësur mjaft kohëve të fundit. Portalb.mk në një analizë prezantoi numrat e përfaqësimit etnik në disa institucione që janë në disproporcion me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sipas regjistrimit të popullsisë. Nga të dhënat e siguruara rezultoi se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.
Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht ka akuzuar qeverinë aktuale se po punëson pa asnjë barëspeshë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ndërkaq protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”. Por një zgjidhje e tillë ligjore po zvarritet me muaj të tërë.