Mungesa e mësimdhënësve shqiptarë në diasporë: Zëvendësministri Aliu hesht, ministrja Janevska zotohet se do ta rrisin numrin e mësimdhënësve
Edhe përkundër zotimeve të koalicionit VLEN se do të rrisin përkrahjen për mësimin e gjuhës shqipe si lëndë fakultative në mërgatë, kjo nuk po ndodh në praktikë. Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu nuk i ka komentuar numrat e fundit të publikuar në Portalb.mk, sipas të cilëve numri i mësimdhënësve shqiptarë në mërgatë është në disproporcion me nevojat reale të diasporës shqiptare. Ministrja e Arsimit u zotua se do të rritet numri i mësimdhënësve në mërgatë, ndërkaq sipas kreut të Lëvizjes Besa nuk mundet që kjo të zgjidhet menjëherë.
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në dërgimin e mësimdhënësve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në diasporë nuk implementohet në praktikë.
Nga gjithsej 13 arsimtarë të dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në diasporë vetëm 3 janë shqiptarë. Edhe pse sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë shikuar etnikisht nga diaspora e shtetasve të Maqedonisë së Veriut del që të përkatësisë etnike maqedonase janë 24.45%, ndërsa shqiptarë janë 66.36%.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Lulzim Aliu kuadër i VLEN nuk e ka komentuar gjendjen me mësimdhënësit nga RMV në mërgatë.
Nga kabineti i zëvendësministrit na kanë treguar adresën e kabinetit të ministres Vesna Janevska si përgjegjëse për pyetjen e parashtruar.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në një deklaratë për media ka theksuar se, as te maqedonasit e as te shqiptarët nuk ka numër të mjaftueshëm të mësimdhënësve.
“Jemi të njoftuar me problemin. Planifikojmë që çdo vit të rrisim deri në një numër të caktuar. Por, kisha përvojë me disa shtete, ku mërgata vet organizohen. Nëse mërgata e gjen mësimdhënësin prej atje, sepse është më lehtë, ne maksimalisht do t’i mbështesim. Nuk është me rëndësi se a janë shqiptarë, maqedonas, turq apo serb. Kudo që ka nevojë do t’i mbështesim dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi”, tha Janevska.
Kujtojmë se në Programin politik të VLEN një kapitull i tërë i titulluar “Mërgata dhe rikthimi” i kushtohet diasporës shqiptare.
“Gjuha shqipe si lëndë fakultative në mërgatë. Në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës, do ta rrisim përkrahjen për mësimin e gjuhës shqipe si lëndë fakultative në mërgatë, kjo bazuar në programet e përpiluara nga Shqipëria. Shkollat e mërgatës të pajisen me tekste e mësues, në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kosovën. Do të bëjmë lobim që gjuha shqipe të përfshihet si lëndë opsionale në ato vende ku ka shumë nxënës dhe studentë shqiptarë”, shkruan pika e 5-të e kapitullit për mërgatën.
I pyetur për këtë, njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami tha se ky problem nuk mund të zgjidhet menjëherë.
“Me ndryshimet e fundit kushtetuese edhe diaspora shqiptare nga Maqedonia e Veriut është pjesë e Kushtetutës dhe është obligim i shtetit. Ashtu siç e sqaroi ministresha, është çështje e organizimit të vetë Qeverisë dhe ministrisë, një punë që nuk është bërë në të kaluarën, nuk mund që menjëherë të zgjidhet në të ardhmen, por sigurisht që kjo qeveri ka plan konkret se si dalë ngadalë edhe kjo çështje të përmirësohet, edhe fëmijët që janë nga Maqedonia, të gjitha komuniteteve, të ken mundësi që edhe atje ta mësojnë gjuhën amtare”, tha Kasami.
Portalb.mk, në tekstin paraprak rreth temës zbuloi gjendjen jo të mirë me mësimdhënësit shqiptar në mërgatë edhe përkundër nevojës. Asnjë mësimdhënës shqiptar nuk është angazhuar nga shteti i Maqedonisë së Veriut për diasporën e vendit në Zvicër edhe kur dihet se diaspora shqiptare është e koncentruar më shumë në Zvicër. Situata nuk është më ndryshe edhe në shtetet tjera. Momentalisht, nga gjithsej 13 arsimtarë të dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në diasporë në përgjithësi, vetëm 3 janë shqiptarë.
Kujtojmë se, sipas Ligjit për arsim fillor, për fëmijët e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që banojnë në jashtë vendit, organizohen orë mësimore për të mësuar gjuhën dhe kulturën maqedonase, ndërsa për anëtarë të komuniteteve që flasin një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut ju organizohet mësim në gjuhë amtare.