Mickoski: LSDM-ja duhet të inkurajohet dhe të pranojë dorën e shtrirë për qeveri kalimtare

LSDM është plotësisht e vetëdijshme për atë që kam ofruar në mbledhjen e liderëve, por manipulimi i vazhdueshëm që bëhet me paraqitjen e informatave të pasakta dhe imputimin e fjalëve praktikisht pasqyron gjendjen në parti dhe nënkupton mungesën e vullnetit për të bërë një hap real përpara me zgjidhje që do të thotë ruajtjen e identitetit dhe integrim real dhe të shpejtë të shtetit, thotë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një intervistë për Deutsche Welle-n, duke komentuar rezultatin e takimit të javës së kaluar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

“Nga mbledhja e kryesisë është e qartë se nuk ka marrëveshje dhe ende presim përgjigje nga LSDM-ja se cilin nga dy propozimet që i kam ofruar e pranojnë. Edhe në vetë takimin Kovaçevski ishte decid se nuk ka marrëveshje, gjë që e thashë edhe më pas në deklaratat për media. Qëllimi im ishte që t’i rregulloj gjërat dhe t’u jap një perspektivë të ndryshme proceseve, të krijoj një zgjidhje që nuk do të dëmtonte qytetarët dhe të ardhmen e Maqedonisë. Më vjen keq që LSDM-ja po humb një mundësi të madhe dhe historike”, thotë Mickoski.

VMRO-DPMNE pret përgjigje nga LSDM-ja se cili nga propozimet tona është i pranueshëm, shton Mickoski, duke theksuar se “është joproduktive dhe e kotë të vazhdohet me çfarëdo bisede apo grupe punuese, nëse nuk pajtohen për propozimet që i kemi bërë”.

I pyetur për të sqaruar përjashtimet me kundërpropozimin dhe propozimin që kanë bërë, Mickoski përgjigjet:

“Ajo që kam ofruar është ndryshim i rrethanave, mbrojtje e interesave kombëtare dhe integrim evropian. Propozimi i parë që kam bërë është një qeveri kalimtare pa BDI, ndryshime që do të hyjnë në fuqi me përfundimin e negociatave dhe anëtarësimin e vendit në BE. Propozimi i dytë është zgjedhje, garanci për identitetin dhe gjuhën kombëtare, një paketë ekonomike dhe mbrojtjen e maqedonasve në Bullgari përmes zbatimit të aktgjykimeve të gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg dhe ndryshime në qeveri pa BDI-në, e mbështetur nga opozita. Ajo që ofroi Kovaçevski ishin ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar dhe një qeverisje e gjerë me BDI-në. Çështja nuk është që VMRO-DPMNE të vijë në pushtet në ndonjë qeveri të gjerë, por të ndërtojmë një proces dhe pakt për bashkim kombëtar ku do të mbrojmë interesat kombëtare”.

Lideri i VMRO-DPMNE-së thekson se ka komunikim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe thekson se VMRO-DPMNE ka treguar konstruktivitet dhe shqetësim për të ardhmen, të cilën qeveria nuk ka pasur kapacitet për ta valorizuar. LSDM duhet të inkurajohet dhe të pranojë dorën e shtrirë për një qeveri kalimtare, thekson Mickocki për DW.

Në pyetjen se si e vlerëson kushtin e BDI-së, që fillimisht të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, e më pas të dalin nga Qeveria, si dhe propozimi i tyre për vetting të të gjitha partive politike – kryetarëve, partive, deputetëve, kryetari i VMRO- -DPMNE thotë se BDI nuk është në pozicion për të vënë kushte.

“Nëse LSDM-ja vërtet pranoi njërin nga propozimet, ato janë: Së pari, përfundimi i procesit tani, me vlefshmëri të prolonguar kur Maqedonia t’i përfundojë negociatat dhe të hyjë në BE, kështu të mbrojmë Kushtetutën dhe identitetin, nuk ka kushte dhe kërkesa shtesë nga Bullgaria. BDI-ja e interpreton ndryshe, ky është problemi i tyre. Së dyti, zgjedhjet në vjeshtë, mbështetja e opozitës në mbrojtjen e identitetit, traditës, kulturës, zakoneve dhe gjuhës para institucioneve eVropiane nga opozita, një paketë ekonomike nga Komisioni EVropian, zbatimi i gjykimeve nga Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg për maqedonasit në Bullgari. Për sa i përket vettingut, qëndrimi im është i qartë – në fillim duhet vettingu i politikanëve dhe të afërmve të tyre. Kapitali i politikanëve peshon miliarda, për të vërtetuar se si e kanë fituar dhe për të parë origjinën e pronës dhe më pas gjithçka tjetër. Unë vullnetarisht jam i pari në atë proces”, shprehet decid Mickoski.

Ndryshe, gjatë takimit, Kovaçevski i ka propozuar të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej qeveria, në të cilën nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Për Mickoskin kjo ishte e pranueshme, nëse BDI-ja nuk do të ishte brenda qeverisë. BDI-ja nëpërmjet një reagimi publik pranoi të dalë nga qeveria, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese, edhe pse nuk është ende e qartë së nëse dalin nga qeveria, çfarë do të bëhet me premtimin kryesor të zgjedhjeve të kaluara – kryeministri i parë shqiptar, për të cilin me këmbëngulje kanë premtuar se do ta realizojnë.

Përveç kërkesave plastike, Mickoski kërkoi nga institucionet evropiane që të garantojnë identitetin maqedonas, të përgatisin një paketë ekonomike për qytetarët dhe bizneset maqedonase, si dhe garanci se Bullgaria do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.