Kosova shënon 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit

Kosova sot shënon 24-vjetorin e Ditës e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi, transmeton REL.

Fushata bombarduese, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo po ashtu siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50,000 trupave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO për ta siguruar paqen në Kosovë, njëherit edhe misioni më i madh paqëruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30,000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre të mbi 800,000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-a erdhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-99 janë vrarë më shumë se 13,000 persona dhe më shumë se 6,000 të pagjetur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Slobodan Millosheviqi i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave, mbi 1,600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Njëzetetre vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.