VMRO-ja paralajmëroi Qeveri të re me opozitën shqiptare

Ende pa u mbajtur zgjedhjet parlamentare, më 8 maj, VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten fituese të këtyre zgjedhjeve, ndërsa tashmë ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, raporton Radio Evropa e Lirë.

Bazuar në rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, më 24 prill, që e nxorën fituese absolute kandidaten e VMRO-së për presidente, Gordana Silanovska-Davkova, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj.

Ai në të gjitha tubimet partiake dhe në paraqitjet para mediave, ka thënë se Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.

Sipas tij, në qeveri nuk do të ketë vend për “njerëz të përfshirë në krim dhe korrupsion”, të cilët, siç është shprehur Mickoski, pas 8 majit do të përgjigjen për të gjitha aferat korruptive.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të koalicionit VLEN, kanë thënë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re dhe, madje, kanë dalë edhe me pozitat që do t’i kenë.

Ata kanë thënë se janë “përfaqësues legjitimë të shqiptarëve” për dallim nga BDI-ja, e cila, sipas koalicionit opozitar, në zgjedhje mori pjesë në koalicion me pesë parti të bashkësive tjera etnike.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në paraqitjet para mediave mbeten në qëndrimin se pjesëmarrjen në Qeveri të një partie nuk e përcakton Mickoski, por votuesit në zgjedhje.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.