Oferta për hyrje në qeveri befasishëm ia ndërroi mendjen VMRO-së për ndryshimet kushtetuese, BDI e gatshme “të sakrifikohet”

Ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike e shohin si pozitiv ndryshimin e befasishëm të qëndrimit të VMRO-DPMNE-së, në lidhje me ndryshimet kushtetuese, për çka në periudhën e kaluar kjo parti zbatoi fushatë të ashpër, nacionaliste dhe populiste për asimilim dhe bullgarizim të maqedonasve, madje dhe duke protestuar në rrugë. Ishte aq kundër, saqë i detyroi deputetët e saj të nënshkruajnë deklarata të noterizuara në të cilat dëshmuan se nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese.
Por, kjo ka ndryshuar pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë takimit të 7 majit me kryeopozitarin Hristijan Mickoski ka ofruar formimin e një qeverie të zgjeruar teknike, në këmbim që paraprakisht opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Kjo ka qenë e leverdishme, por VMRO-ja ka kërkuar edhe një kusht shtesë – brenda qeverisë të mos jetë BDI. Po aq i befasishëm ka qenë reagimi i BDI-së e cila është 20 vjet në pushtet. Si asnjëherë më parë, BDI publikisht pranoi “t’ia plotësojë” këtë dëshirë VMRO-së me qëllim që të mos bllokohet procesi i anëtarësimit të RMV-së në BE. Për këtë, sipas ekspertëve, BDI do të shpërblehet, shkruan Portalb.mk.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski
Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, thekson se deklarimet e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së janë befasi të këndshme, pozitive dhe shpresëdhënëse. Megjithatë, pret që VMRO-DPMNE-ja për ta arsyetuar këtë vendim para elektoratit të vet, do të përdorë, retorikë nacionaliste.

“Çdo veprim që zhbllokon rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është pozitiv dhe shpresëdhënës. Ishte befasi e këndshme deklarata e liderit të VMRO-DPMNE-së që partia e tij nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese, sidomos pas gjithë asaj fushate përplot kundërshtime e kushte nga më të ndryshmet. Vetëm shpresoj të mos ketë stërkëmbëza shtesë nga kjo parti. Ende më i befasishëm, por tejet i përgjegjshëm ishte vendimi i BDI-së se nuk do të bëhet pengesë dhe do të largohen nga qeveria po që se ky është kushti për të zhbllokuar procesin. Pres fushatë nga ana e VMRO-së për të sqaruar këtë vendim të tyre para elektoratit të vet duke përdorur, për fat të keq, edhe retorikë nacionaliste. Partitë tjera, si Levica, do të mundohen ta shfrytëzojnë këtë për të mobilizuar votuesit radikal nacionalist, që është shumë dëshpëruese se pas kaq viteve, ka parti dhe votues ku ky diksurs ende ndez. BDI do të ketë kohë t’i qetësoje dhe organizoje radhët e veta dhe të përgatitet për zgjedhjet parlamentare. LSDM ka detyrë të vështirë për të shtyrë përpara proceset brenda institucioneve dhe njëkohësisht të përgatitet për zgjedhjet”, thotë Jashari..

Ai nuk beson që zgjedhjet do të mbahen këtë vit. “Si shtet na pret një periudhë sfiduese, por duhet të gjithë të bëjnë maksimumin të mos e humbasim këtë shans për të nisur më në fund bisedimet me BE dhe të përshpejtojmë reformat në vend. Pa deklarata e premtime boshe, por me punë konkrete”, shton Jashari.

Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshilit euro-atlantik të Maqedonisë
Ismet Ramadani. Foto nga faqja në Facebook e Këshillit euro-atlantik të Maqedonisë

Njohësi i çështjeve politike Ismet Ramadani, vlerëson qasjen e kryeministrit Dimitar Kovaçevskit, por sa i përket Mickoskit, thotë se ai në njëfarë mënyre shpalosi kur është në pyetje pushteti, pa e menduar shumë ka pranuar të jetë pjesë e tij. Ramadani konsideron se Mickoski nuk e ka pritur një propozim aq galant nga kryeministri në ndarjen e resorëve dhe pranimi i tij për hyrje në Qeveri do të çlirojë opinionin e qytetarëve maqedonas nga robërimi populist, të cilin Mickoski e plasoi për muaj me radhë duke u shtirur se kjo Qeveri ka shitur interesat maqedonase.

“Në një mënyrë, qytetarët e kanë kuptuar definitivisht se gjithë ajo propagandë e VMRO-së me një politikë populiste për të krijuar opinion kinse janë shumë të dhënë pas asaj që do të thotë identitet dhe gjuhë maqedonase, kur ofrohet pushtet përnjëherë gjithçka shkon drejt asaj që të nxirret konkludimi pushteti është mbi të gjitha. Por sido që të jetë mirë është që edhe nëse vazhdon refuzimi nga VMRO-DPMNE-ja tani faktori ndërkombëtar ka edhe një argument plus se Qeveria është e gatshme të bisedojë, të japë nga vetja edhe pjesë që i takojnë”, thotë Ramadani.

Edhe për Ramadanin ishte një vendim tejet i papritur, por shumë interesant dhe i komentuar edhe në mënyrë shumë pozitive, prononcimi i BDI-së, që janë të gatshëm të kalojnë në opozitë, vetëm e vetëm të realizohen ndryshimet kushtetuese dhe të hapet rruga konkrete në hapjen e kapitujve që, sipas tij, në një mënyrë japin mundësi reale për anëtarësim në BE.

Profesori Nano Ruzhin, e vlerëson energjinë pozitive mes pushtetit dhe opozitës dhe thekson se megjithatë, mbizotëroi interesi dhe vlera e përgjithshme e shtetit hyrja në BE.

Nano Ruzhin. Foto nga profili i tij në Facebook
Nano Ruzhin. Foto nga profili i tij në Facebook

“Sigurisht është arritur konsensus me shumë kushte, por më e rëndësishmja është arritur dhe ekziston një energji pozitive edhe ndërmjet të dy partive politike edhe ndërmjet deputetëve se problemi më në fund do të zgjidhet dhe ky sukses i madh për ndërgjegjshmërinë, do të thosha, të aktorëve politik në këtë vend. Të gjithë presin që kjo çështje së shpejti ta çojë Maqedoninë në drejtim të Bashkimit Evropian. Për dikë kjo ndoshta përbën befasi të madhe, por sido që të jetë, megjithatë mendoj se mbizotëroi interesi dhe vlera e përgjithshme e shtetit, hyrja në BE. Kështu që kushtet më të rëndësishme të Mickoskit u pranuan nga ana e Kovaçevskit. Për kushte të tjera mendoj se tani është irelevante të flitet. Por sido që të jetë, mundemi që tani t’i ndjekim qetësisht ditët e ardhshme politike, opinioni publik para së gjithash të jetë i informuar drejt. Çfarë do të thotë kjo, të marrin tjetër drejtim dyshimet për ndonjë bullgarizim dhe të theksohet më fortë rëndësia e rrugës së mëtejshme drejt BE-së”, thotë Ruzhin.

BDI do të shpërblehet: E zuri në “befasi” VMRO-DPMNE-në

Drejtori i organizatës joqeveritare “Democracy Lab” Sefer Selimi, po ashtu mendon se ky takim jep sinjale pozitive se gjërat po lëvizin në drejtim të realizimit të ndryshimeve kushtetuese. Ai pret që ky takim të zhvendosë nga pozicionet fillestare VMRO-në e cila deri para pak kohe kishte qëndrim të ngurtë për mos-votim të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa tanimë diskutohet për forma dhe mënyra dhe për kompromise të cilat duheshin të bëhen që të arrihet deri te këto ndryshime kushtetuese.

Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook
Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook

“Është një sinjal pozitiv, që jep shpresë, besoj se gjërat lëvizin drejt ndryshimeve kushtetuese, ndonëse nuk do të jetë e lehtë, do të ketë, le të themi gjimnastikë politike nga të gjitha palët derisa të arrihet një kompromis mes të gjithë aktorëve politik në vend dhe të arrihet deri te zhbllokimi i rrugës drejt integrimit në BE. Do të jetë e vështirë, do të jetë mjaftë sfiduese, por nëse do të ketë vullnet, do të ketë marrëveshje. Ka një afat të fundit kohor ajo duhet të përputhet edhe me takimin e Këshillit të Evropës ku duhet të arrihet në konkluzionin që ndryshimet kushtetuese janë bërë dhe të hapet rrugë për takimin ndërqeveritar mes Komisionit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, që do të jetë hapja e klasterit të parë dhe fillimi i negociatave me BE-në. Do të duhet të shohim, siç thash do të ketë mjaft gjimnastika politike, ngritje tensionesh, kërkesa të reja, taktizime nga të gjitha palët, ku secila do të shohë që nxjerrë maksimumin në aspektin e interesit të vet partiak dhe për këtë unë parashoh që kjo nuk do të jetë e lehtë, por jo që nuk do të jetë e menaxhueshme”, vlerëson Selimi.

Sa i përket BDI-së, Selimi edhe mendon se vendimi i saj për dalje nga Qeveria, ishte një veprim mjaftë i qëlluar, i matur dhe veprim i cili do t’i shpërblehet BDI-së duke zënë në befasi edhe vetë VMRO-në e cila kërkonte të gjejë arsye për mosvotimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese ose eventualisht të rrisë pazarin në negociatat për të marrë diçka tjetër në këmbim.

“Kjo e vendos pikë së pari në vështirësi më të madhe vetë VMRO-DPMNE-në dhe nga ana tjetër gjithsesi se është një kompromis i matur i bërë nga BDI-ja duke ua vështirësuar pozicionin për mos-votim eventual të ndryshimeve kushtetuese dhe VMRO-së. Tani do të ngelet që të shohim nëse VMRO-ja vërtetë ka për qëllim dhe është renditur për të arritur qëllimin strategjik për integrim në BE ose jo dhe kjo do të dëshmohet nëse do ta pranojë këtë ofertë dhe të bëhet pjesë e një qeverie të gjerë e cila do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese”, thekson Selimi.

VMRO-DPMNE i ofroi mundësi që BDI-ja të tregojë galantizëm dhe për këtë të shpërblehet, thotë drejtori ekzekutiv i Eurothink, Dimitar Nikollovski,

Dimitar Nikollovski, foto: Eurothink
Dimitar Nikollovski, foto: Eurothink

“E kam të vështirë të kuptoj nevojën e VMRO-DPMNE-së për largimin e BDI-së nga koalicioni qeveritar në një periudhë kaq të shkurtër para zgjedhjeve, sepse strategjikisht nuk fitojnë asgjë. Ata i dhanë BDI-së mundësinë e përsosur për të treguar galantizëm, të cilën e shfrytëzuan. Por ky “galantizë,” i shkon vetëm BDI-së, e cila do të dilte me më shumë përkrahje pas zgjedhjeve pikërisht për shkak të dorëheqjes së tyre nga qeveria për të shtyrë ndryshimet kushtetuese, ndërsa do të kishin edhe më shumë mbështetje ndërkombëtare”, vlerëson Nikollovski.

Sipas tij, pavarësisht mungesës së marrëveshjes, në takimin e liderëve pati njëfarë suksesi. Ajo që Nikollovski e quan sukses të sigurt është se takimi i liderëve hapi më shumë mundësi për negociata dhe pazare.

“Mund të jetë ironike, por në këtë kaos aktual të rezultateve të mundshme rriten edhe shanset për kompromis. Megjithatë, nuk duhet harruar se nuk duhet tejkaluar afati kohor i përcaktuar në konkluzionet e Këshillit të BE-së, i cili kërkon që ndryshimet kushtetuese të jenë në fuqi për të filluar me konferencën e dytë ndërqeveritare. Në këtë aspekt, kërkesat e VMRO-DPMNE-së janë irracionale, por po e përsëris se ka hapësirë ​​për negociata dhe mundësi për të arritur një zgjidhje të favorshme”, thotë Nikollovski.

Ndryshe, gjatë takimit, Kovaçevski i ka propozuar të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej qeveria, në të cilën nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Për Mickoskin kjo ishte e pranueshme, nëse BDI-ja nuk do të ishte brenda qeverisë. BDI-ja nëpërmjet një reagimi publik pranoi të dalë nga qeveria, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese, edhe pse nuk është ende e qartë së nëse dalin nga qeveria, çfarë do të bëhet me premtimin kryesor të zgjedhjeve të kaluara – kryeministri i parë shqiptar, për të cilin me këmbëngulje kanë premtuar se do ta realizojnë.

Përveç kërkesave plastike, Mickoski kërkoi nga institucionet evropiane që të garantojnë identitetin maqedonas, të përgatisin një paketë ekonomike për qytetarët dhe bizneset maqedonase, si dhe garanci se Bullgaria do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.